Atletike

Shpallet kampione Ballkani në Serbi, Luiza Gega e para që kualifikohet për në Lojërat Olimpike ‘Paris 2024’

Atletja Luiza Gega është bërë sportisti i parë shqiptar që ka marrë të drejtën për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike Paris 2024. Rekordmenia shqiptare ka fituar garën e 3 mijë metrave me pengesa në Serbi, duke vendosur kohën 9 minuta, 21 sekonda dhe 53 të qindtat, teksa ka qenë brenda kufirit për kualifikim.

Këtë paradite, në Kraljevo të Serbisë, Gega ka fituar garën me një kohë më të mirë se kundërshtaret, teksa veç medaljes së artë në Kampionatin Ballkanik ka marrë të drejtën për të qenë pjesë e "Paris 2024".

Norma për të qenë pjesë e Lojërave Olimpike ishte koha poshtë (9 minuta 23 sekonda 00 të qindtat), me Gegën që ia ka dalë të sigurojë një tjetër sukses.

Në qershor Luiza Gega na solli mrekullinë e radhës nga Polonia, ku fitoi garën e 3000 metrave me pengesa në Europianin Ekipor të Atletikës.

Sportistja jonë shkëlqeu në specialitetin e saj, ku doli e para në divizionin e tretë të garës së 3000 metrave me pengesa, me kohën 9:17.31. Kjo ishte një fitore shumë e veçantë për Luiza Gegën, e 11-a në në historinë e kampionateve europiane, që e barazon atë me bullgaren Ivet Lalova-Collio. Ky fakt është evidentuar edhe nga Federata Europiane e Atletikës, që e quajti atleten shqiptare yllin e garës së 3000 metrave me pengesa. Pak ditë më parë ajo kishte fituar edhe garën e 5000 metrave, duke vërtetuar se po kalon një moment të shkëlqyer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë