Kombetarja

Shorti i Ligës së Kombeve/ Sërish Çekia për kuqezinjtë, Ukraina e Gjeorgjia kompletojnë grupin

Gazeta Si – Në Paris është hedhur sot shorti për edicionin 2024-2025 të Ligës së Kombeve. Shqipëria, që bën pjesë në Ligën B të këtij kompeticioni, ka rënë në Grupin A. Kuqezinjtë kanë peshkuar sërish Çekinë, ndërsa dy skuadrat e tjera janë Ukraina dhe Gjeorgjia.

Me siguri Çekia e konsideron si një mundësi hakmarrjeje ndaj Shqipërisë, që e la jashtë Europianit të Germanisë. Skuadra e Silvinjos e mposhti 3-0 ekipin çek në Tiranë dhe barazoi 1-1 në Pragë, duke marrë 4 pikë ndaj këtij kundërshtari në kualifikueset e Euro 2024.

Sa u takon yjeve të futbollit europian që do të vijnë në Tirana, ata janë Khviça Kavaratskhelia i Gjeorgjisë dhe Napolit, si dhe Mihajlo Mudrik i Ukrainës dhe Çelsit.

Kosova, që bën pjesë në Ligën C të Ligës së Kombeve, është shortuar në Grupi 2, bashkë me Rumaninë, Qipron dhe një mes Lituanisë dhe Gjibraltarit.

Për Ligën A, ku marrin pjesë skuadrat më të forta, duhet veçuar se shorti ka përplasur në një grup Gjermaninë me Holandën, si dhe Italinë me kundërshtarë si Franca dhe Belgjika.

Në short merrnin pjesë 54 skuadra, të ndara në 4 liga, në bazë të rezultateve të Ligës së Kombeve 2022-2023. Në çdo ligë skuadrat ndahen në vazo, gjithmonë në bazë të renditjes. Në Ligat A, B dhe C janë parashikuar për çdo ligë 4 grupe me nga 4 skuadra. Vetë në Ligën D ka dy grupe me nga 3 skuadra.

Ndeshjet e këtij kompeticioni luhen në vjeshtë, fillojnë në shtator dhe përfundojnë në nëntor, ndërsa kalendari do të percaktohet shumë shpejt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë