Sociale

Shoqata e Anestezistëve dënon ndalimin ‘denigrues’ të mjekut që mori ryshfet te Spitali i Traumës

Gazeta Si - Shoqata e Anestezistëve dhe Reanimatorëve të Shqipërisë i ka cilësuar si denigruese pamjet e publikuara gjatë arrestimit të mjekut të Spitalit të Traumës për korrupsion një ditë më parë.

Në një deklaratë për mediat, shoqata mbështet organet ligjzbatuese për hetimin dhe ndëshkimin e çdo shkeljeje të kryer nga kushdo gjatë ushtrimit të detyrës.

Por nga ana tjetër shpreh shqetësimin e saj për mënyrën denigruese të ndalimit të mjekut Fitim Marku nga ana e policisë me pranga në duar në prani të publikut.

“Pamje të tilla, të bëra publike, ku mjeku me uniformë shoqërohet nga policë të maskuar nuk i shërbejnë askujt që kërkon me të vërtetë përmirësimin e shërbimit shëndetësor në vend. Vlen të kujtojmë se operacione të tilla, të organizuara me kaq bujë mediatike, nuk i kemi parë as në rastet e ndalimit të kriminelëve të rrezikshëm apo zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion të përmasave të mëdha!”.

LEXO EDHE:
Arrestohet për 20 mijë lekë ryshfet mjeku i Spitalit të Traumës, polici iu fut i infiltruar si pacient

Shoqata argumeenton se është e sigurt që “kolegu mjek do të ishte paraqitur pranë organeve përkatëse edhe me një fletëthirrje të thjeshtë. Të mos harrojmë as vijën shumë të hollë që ndan simulimin gjatë hetimit dhe provokimin, gjë që ata që organizojnë operacione të tilla e dinë shumë mirë. Urojmë që kolegu të provojë pastërtinë e figurës së tij, nëpërmjet një procesi të drejtë ligjor!”.

Edhe Spitali i Traumës në kryeqytet reagoi një ditë më parë lidhur me arrestimin e mjekut që u kap duke marrë ryshfet.

Trauma bëri me dije se ngjarja inkurajon organet e drejtësisë për të çuar deri në fund hetimin dhe zbardhjen e së vërtetës, për të vënë para përgjegjësisë këdo që kryen krim.

Në reagim thuhet se raste të tilla nuk duhet të përkthehen në njollosjen e të gjitha bluzave të bardha, mjekëve dhe infermierëve, të cilët e kryejnë me përkushtim dhe korrektesë punën e tyre.

Mjeku reanimator Fitim Marku u arrestua në flagrancë në vendin e punës nga agjentët e operacionales. i akuzuar se u merrte ryshfet qytetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë