Futboll

Shokuese në Paris, parulla raciste kundër Kilian Mbape!

Parulla raciste nëpër vagonët e metrosë kundër Kilian Mbape. Në Paris, aty ku sulmuesin e ri e duan më shumë se askund tjetër. Mbishkrime absurde ndaj atij që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e Kupës së Botës nga Franca verën e kaluar në Rusi.

"Mbape zezak, bir ku…" ishte një nga parullat kryesore të shfaqura në kryeqytetin francez ndaj lojtarit të PSG-së. Menjëherë autoritet franceze kanë nisur një hetim, duke e konsideruar këtë veprim shokues një sulm ndaj imazhit të vendit, jo vetëm ndaj Mbape, por ndaj gjithë Francës. “SNCF”, kompania e transporteve në Paris, ka vënë në dispozicion pamjet filmike të kamerave të sigurisë për të ndihmuar në evidentimin e atyre që i kanë shkruar parullat.

Një nga mbishkrimet kundër Mbape në Paris

E gjitha Franca është skandalizuar nga kjo ngjarje e shëmtuar dhe personalitetet më të rëndësishme kanë reaguar kundër aktit vandal dhe mesazhit kundër Kilian Mbape. "Faji" i futbollistit të klasit botëror, i lindur në Paris, është se e ka babanë nga Kameruni dhe nënën nga Algjeria. "Është një shembull i racës së përzierë, për të cilin jemi krenarë. Kur sulmohet një qytetar për ngjyrën e lëkurës, sulmohet i gjithë vendi”. Ky është qëndrimi që ka mbajtur menjëherë Liga Ndërkombëtare Kundër Racizmit.

Federata Franceze e Futbollit ka bërë me dije se do të ketë masa shumë të ashpra për koret raciste në stadiume. Pritet që policia, pasi ka fshirë ato parulla të turpshme, të identifikojë sa më parë personat që i kanë shkruar ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë