Ngjarje

Shkrirja e Akademisë së Studimeve Albanologjike, Senati: S’do të ketë më kërkime. Gjinushi s’ka të drejtë të krijojë institute

Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike në një deklaratë për mediat ka kundërshtuar vendimin për shkrirjen e kësaj akademie. Senati thekson se akademikët nuk ishin vënë në dijeni për këtë fakt, ndërsa shtuan se shkelen parimet e lirisë akademike.

Senati thekson se me këtë vendim nuk do të ketë më studime albanologjike, ndërsa rektori i kësaj akademie tha se Akademia e Shkencave, e drejtuar nga Skënder Gjinushi, nuk ka të drejtë që të krijojë institute.

“Institucionet shkencore nuk besoj se ju shkon greva. Do të ndjekim hapat tonë ligjor, duke iu referuar legjislacionit. Nëse këto vendime janë pro kuadrit ligjor, do të fitojnë ata që kanë ndërmarr këtë hap, në të kundërt ne”, tha Luan Përzhita, rektori i Akademisë së Studimeve.

Ndërkohë Akademikja Ledi Shamku Shkreli është shprehur se projekt-vendimi për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike nuk i është vënë në dijeni anëtarëve të akademisë në rrugë zyrtare.

Përmes një deklarate për mediat, ajo tha se me këtë vendim të qeverisë, të gjitha institutet më të vjetra studimore shqiptare do të shuhen.

“Meqënëse pyete, në relacionin shpjegues që neve nuk na është vënë kurrë në dijeni, por e kemi marrë vesh në rrugë informale. Pra institutet më të vjetra të Republikës së Shqipërisë shuhen me këtë akt.

Ne nuk na është vënë kurrë në dijeni relacioni sesi do të zhbëhet ASA.

Thuhet që është në përputhje me frymën e ligjit të arsimit të lartë. Unë i bëj thirrje kujtesës sime, që si ish deputete e kam kaluar nëpër duar atë ligj, por merita më e madhe e atij ligji ishte se ishte europian”, është shprehur Shkreli, dikur ish deputete e Partisë Socialiste.

DEKLARATA e SENATIT të Akademisë së Studimeve Albanologjike

  1. Shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, duke krijuar precedentin e rrezikshëm të mbylljes së pabazuar të një Institucioni Publik të Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor dhe për më tepër sot, të së vetmes Akademi Albanologjike. Konkretisht ASA nuk është njoftuar për këtë Projektvendim, dhe së dyti, sipas Ligjit për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri, është Senati i ASA-s, i vetmi  institucion që duhet të shprehet për fatin juridik të ASA-s. Deklarojmë se Senati vijimisht si dhe sot, është shprehur dhe shprehet kundër mbylljes së ASA-s.
  2. Mbyllja e ASA-s shkakton pushimin e mbi 45 marrëveshjeve ndërkombëtare, ku ky institucion është palë si IAL, dhe asnjë institucion tjetër nuk ka tagër t’i mbartë.
  3. Shuhen Institutet duke i shndërruar ato në njësi kërkimore, që sipas nenit 19 të ligjit për Akademinë e Shkencave, janë ose njësi dyvjeçare ose afatgjata, pra me kohë të kufizuar.
  4. Vendosjen nën kontroll të dijes akademike në lëmejt e albanologjisë, pasiqë struktura organizative e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH), është krejtësisht e centralizuar në duar të Kryesisë së Akademisë së Shkencave.
  5. Ndërpret karrierën e afro 100 studiueve, pasiqë Ligji për Akademinë e Shkencave, nr. 53, 2019 nuk parashikon në asnjë klauzolë as procedurën e punësimit në Akademinë e Shkencave, e jo më vijimin e karrierës akademike.
  6. Ndërpret studimet doktorale të studentëve pranë ASA-s.
  7. Referimi te neni 19, është i pabazë kur bëhet me propozim nga MAS, pasi ky nen nuk parashikon të merret si referencë ligjore nga një institucion jashtë Akademisë së Shkencave.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë