“Unë do të përdor një shprehje, të kalosh Vettingun në Shqipëri me këto elementë, është sikur të kapërcesh varrin për së gjati, siç thonë shqiptarët”. Ky do të ishte komenti i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja pas kalimit të parë të filtrit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, duke e cilësuar procesin jashtëzakonisht të vështirë. Më 13 qershor KPK e konfirmoi në detyrë Bashkim Dedjen. Trupi gjykues nuk ishte unanim në këtë vendim, pasi relatorja Xhensila Pinen ishte kundër, ndërsa Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia ishin pro.
Në vendimin e 13 qershorit të KPK, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, nuk ishte prezent, ai përfaqësohej nga avokati i tij, Maksim Haxhia.
Në relacionin e vendimit, kreu i Gjykatës vlerësohej se nuk kishte lidhje me persona të inkriminuar dhe se është i aftë profesionalisht për detyrën e gjyqtarit, por se çështja e pasurisë së paluajtshme ishte pika që Dedja kishte ngritur shumë dyshime. Apartamenti në Golem, që deklarohej se ishte në pronësi të vëllait, por që kontratën me OSHE-në e kishte firmosur vetë kreu i Gjykatës, apo toka bujqësore në Dibër, si dhe borxhi prej 15 mijë euro i marrë nga i vëllai dhe kunati në vlerën e në vlerën 10.000 euro, për pasurinë apartament me sipërfaqe 146.14 m² dhe garazh me sipërfaqe 15.25 m², me vlerë 180.000 euro, të ndodhur në Tiranë, dyshimet mbi paratë e përdorura për blerjen e shtëpisë në vitin 1997, ishin pikat e debatueshme në vendimin e KPK-së.
Avokati Haxhia tha se apartamenti në Golem është në emër të vëllait, por kontrata e ujit dhe dritave në emër të gjyqtari, pasi i vëllai ishte në emigrim. Lidhur me deklarimin e 10 mijë euro borxh të kunatit, kontrata është firmosur gjatë kohës që ky i fundit ka qenë jashtë shtetit dhe për këtë Dedja ka depozituar deklaratë shtesë, ku thotë se kontrata është firmosur me babanë e kunatit të tij, ndërsa të vëllait kreu i Kushtetueses i kishte marrë 15 mijë euro.
Pavarësisht këtyre qëndrimeve KPK dha vendimin pro Dedjes, duke e kaluar fazën e parë të Vettingut.
Ndërkombëtarët në lëvizje
Konfirmimi i Dedjes nga KPK qe një vendim që pati kontestim të fuqishëm nga ana e ndërkombëtarëve. Kështu Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, pjesë e procesit të Vettingut paraqiti kërkesën drejt Komisionierit Publik që ta ankimonte vendimin e KPK-së, i cili e kaloi fazën e parë të procesit. Në seancën e 8 qershorit ishte e pranishme si vëzhguese ndërkombëtare, Mia Roessingh.
“Në datë 13.07.2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u ka njoftuar Komisionerëve Publikë vendimin nr. 24, 13.06.2018 në lidhje me konfirmimin në detyrë të z. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtën datë, 13.07.2018, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar këtë vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.”, thuhej në njoftimin e Komisionerit Publik në të cilën theksohej se janë duke shqyrtuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Më 26 Korrik do të paraqitej edhe ankimi ndaj vendimit të KPK-së, duke bërë kështu që ndaj Dedjes të niste një Vetting i dytë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Më katër shtator u vendos trupi gjykues i caktuar me short dhe i përbërë: Ardian Hajdari, kryesues; Luan Daci relator dhe anëtarët Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz.
Komisionieri Publik, Darjel Sina në relacioni e tij paraqiti prova ku theksohej se apartamentet e blera nga Dedja nuk justifikonin të ardhurat që ai kishte. Sipas animimit, Dedja ka problem me deklarimin e pasurisë dhe e ka fshehur. Sipas Komisionerit Publik, ai nuk justifikon plotësisht të ardhurat për një apartament në Tiranë, me sipërfaqe 146.14 metra katrorë. Dyshohet për fshehje pronësie të një apartamenti 60 metra katrorë në Golem, Kavajë, nuk justifikon të ardhurat për blerjen e 2000 metrave katrorë tokë në fshatin Arë.
Pas dy muajsh, Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi një seancë në 12 dhjetor ku i pranishëm vetë Bashkim Dedja i paraqiti provat shtesë për këtë çështje. Dedja kundërshtoi në seancë shkaqet e ankimimit të Komisionerit Publik ndaj tij. Në mënyrë të detajuar ai llogariti të ardhurat që sipas tij, janë të mjaftueshme për të justifikuar pagesën e këstit të kredisë së shtëpisë. Ai shtoi këtu edhe kontributin e të vëllait, emigrant në Greqi dhe deklaroi se mungon dokumentacioni në Gjykatën e Tiranës për të evidentuar punën e tij si gjykatës dhe punën si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Trupi gjykues, pasi u konsultua, i vlerësoi provat të panevojshme dhe si të tilla, ia ktheu subjektit të rivlerësimit. Kryesuesi i seancës ftoi respektivisht Komisionerin Publik dhe subjektin e rivlerësimit, për kërkimet përfundimtare. Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 24, datë 13.06.2018 të KPK-së dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Bashkim Dedja. Subjekti i rivlerësimit kërkoi rrëzimin e kërkesës së Komisionerit Publik dhe lënien në fuqi të vendimit nr. 24, datë 13.06.2018 të KPK-së.
Duke e konsideruar këtë rast, si përjashtimore dhe kompleks, KPA vendosi shtyrjen e shpalljes së vendimit, sot me 17 dhjetor. Ku vendim do të ishte fatal për Dedjen, pasi vendimi ishte për shkarkimin e tij dhe daljen nga sistemi.
“Ka pasuri më të mëdha seç deklaron dhe nuk arrin ti justifikojë ato me dokumente ligjore. Për apartamentin dhe garazhin ne Tiranë, rezultojnë se persona të tjerë të lidhur nuk justifikojnë dot të ardhurat. Për përdorimin e apartamentit në Kavajë, ka parregullsi në përdorimin e kësaj pasuritë. Rezulton se subjekti ka mungesë të ardhurash të ligjshme. Subjekti nuk ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë”, thuhet në vendimin e sotëm të trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Tashmë me këtë vendim zyrtarisht Shqipëria mbetet pa Gjykatë Kushtetuese. E vetmja që e kaloi procesin e Vettingut është Vitore Tushaj, por gjyqtares i ka mbarur mandati veç se qëndron në detyrë sipas ligjit. Ajo është propozuar nga Presidenti për t’u votuar nga Parlamenti në postin e kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nëse Tushaj votohet nga Parlamenti i bie që Gjykatës Kushtetuese t’i mbesë vetëm emri dhe godina.
Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari janë shkarkuar nga detyra nga Vettingu, ndërkohë që Besnik Imeraj, nuk iu nënshtrua procesit pasi dha dorëheqjen nga detyra.
Tashmë në sitën e Kolegjit të Apelimit është edhe kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Ai edhe pse e kaloi me sukses Vettingun me vendimin e KPK-së, sërish ndërkombëtarët pjesëtarë të ONM-së e ankimuan atë.
Tashmë dy institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë, Gjykata e Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë pas procesit të Vettingut janë drejt shuarjes totale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.