Drejtësia

GJKKO rrëzon SPAK, nuk konfiskon pasurinë e ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese

Dosja për sekuestron e pasurisë së ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese nuk do të kalojë për gjykim. GJKKO ka rrëzuar kërkesën e SPAK dhe ka rikthyer edhe një herë çështjen në Gjykatën e Posaçme për përfundim të plotë të hetimeve. SPAK ngriti ndaj Dedjes akuzën për fshehje të ardhurash dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Referuar hetimeve të SPAK, rezulton se ish-gjyqtari ka pasuri të paluajtshme që nuk i justifikon me burimet e deklaruara të të ardhurave.

SPAK ka sekuestruar deri më tani një apartament në zonën e plazhit të Golemit në pronësi të Dedjas.

Por avokati i ish-kreut të Kushtetueses, Baftjar Rusi, tha për mediat se qëndrimi i klientit të tij “ishte për pavlefshmëri të akteve dhe deklarimit të pushimit të procedimit. Qëndrimi alternativ ishte kthimi për plotësim të hetimeve, gjykata dha vendim shumë të argumentuar për sa i përket rregullshmërisë së hetimit dhe sjelljes të gjithë elementëve që duhet të plotësojnë dosjen penale, pasi nuk ishin marrë në formën e duhur nga ligji".

Avokati shtoi se përveç apartamentit, SPAK pretendon edhe për fshehje pasurish të tjera të Bashkim Dedjes.

“Sipas prokurorisë ishin dhe pasuri të tjera. Por bëhet fjalë për një gazoniere në Malin e Robit, që nuk i kap as 2 milionë lekë të reja në kohën kur është krijuar si pasuri dhe është në emër të vëllait të akuzuarit Dedja. Gjithë pasqyrimi që është bërë në Komisionit e Vettingut, nuk ishte  pasqyruar në dosjen penale të prokurorisë".

Ndërkohë, GJKKO i ka lënë afat SPAK-ut deri më 30 nëntor për të plotësuar dosjen dhe avokati Rusi mendon se çështja do të finalizohet me pushimin e akuzës për klientin e tij. Ai nënvizoi mes të tjerash se vendimi ishte shumë ligjor dhe profesional nga ana e gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë