Lajme

Shkrihet Autoriteti që licencon kazinotë e lotot, ngrijnë lejet

Bledar Hoti-Me dy akte të veçanta qeveria vendos për bllokimin e kazinove dhe pikave të basteve sportive në Shqipëri, duke pezulluar edhe dhënien e licencave në një kohë të pacaktuar.

Qeveria publikoi vendimin për shkrirjen e përkohshme të institucionit që merret me licencimin e kazinove dhe të pikave të basteve, duke bllokuar kështu edhe të gjitha kerkesat dhe aplikimet e reja për rinovim licencash.

Në VKM e publikuar nga Qeveria sanksionohet se është vendosur: “Pezullimi i përkohshëm të veprimtarisë, në fushën e lojërave të fatit, të Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF), deri në ristrukturimin e këtij institucioni”. Gjithashtu Këshilli i Ministrave ka ngarkuar ministrin e Financave dhe të Ekonomisë, si organi epror, për të nxjerrë aktet e nevojshme për ristrukturimin e AMLF-së, si dhe të ndjekë zbatimin e këtij procesi.

Autoriteti ka si kompetenca të mbikëqyre dhe kontrolloje veprimtarinë e subjekteve, që organizojnë lojëra fati, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin për këtë veprimtari dhe aktet nënligjore në fuqi;  Vendos masën e gjobës në rastet kur vëren shkelje të dispozitave të  këtij ligji;  Kontrollon dhe verifikon nëse mjetet e lojërave të fatit janë të certifikuara nga trupa të akredituar, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë ligj. Certifikon pajisjet e basteve, sipas specifikimeve teknike, të përcaktuara me udhëzim të Ministrit të Financave; Mbikëqyr dhe kontrollon subjektet e pajisura me autorizim nga Ministri i Financave, për luajtjen e lojërave promocionale të fatit.

Ky pezullim i vendosur nga qeveria nuk ka ndonjë afat, pra se deri kur do të qëndrojë i kyçur Autoriteti që licencon lojërat e fatit në Shqipëri, ndërsa është vendosur që Ministria e Financave të realizojë më pas mbikëqyrjen e veprimtarisë së lojërave të fatit, gjatë periudhës së përkohshme të pezullimit.

Paralelisht me këtë vendim ekstrem, Qeveria ka miratuar edhe ndryshimet e projektligjit “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, që parashikon mbylljen e të gjitha basteve sportive në qendrat e banuara dhe “bastet për gara në pistë”. Afati i vendosur i mbylljes së aktivitetit është 31 dhjetori i këtij viti.

Faksimile projektligjit te firmosur nga kryeministri Rama dhe ministri Ahmetaj

“Organizatorët e kategorive “Baste sportive” dhe “Baste për garat në pistë” do të ushtrojnë aktivitetin e tyre deri në datën 31 dhjetor 2018. Të gjitha aplikimet për pajisjen me licencë për kategoritë e sipërpërmendura, në proces shqyrtimi, ndërpriten”, sanksionohet në nismën e qeverisë, e cila tashmë është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, e që sipas të gjitha gjasave do të kalojë për miratim me një procedurë të përshpejtuar.

Në në postim në Facebook, kryeministri Edi Rama publikoi vendimin e marrë për mbylljen e pikave të basteve, duke deklaruar se qeveria e tij e ka vullnetin për t’i mbyllur këto aktivitete.

“Beso dhe kontrollo! U nisën për Parlament ligji për ndalimin në 31 dhjetor të basteve e kazinove elektronike dhe ligji për kufizimin maksimal të kontakteve të të dënuarve për krim të organizuar me botën brenda e jashtë burgut po e po”, shkruan kryeministri.

Gjithashtu Rama ka kërkuar që mediat online t’i ndërpresin reklamat e kompanive të basteve. “Besoj se ky është një lajm që të gjitha familjet shqiptare do ta presin me kënaqësi dhe ka të bëjë me një ndryshim në ligjin për lojërat e fatit. Sipas ligjit, duke nisur nga data 31 dhjetor të këtij viti do të pushojnë së funksionari të gjitha kazinotë elektronike. Ndryshimi i sotëm përfshin edhe bastet sportive, si dhe çdo lloj basti për çdo garë të ashtuquajtur në pistë, me kuaj, me qen, apo me çdo lloj skllavi të faunës shqiptare”, deklaroi Rama një ditë më parë.

Ndërkohë që sipas kryeministrit po punohet për regjimin e ri të licencimit dhe të kontrollit të kësaj veprimtarie në distancë, pra, nëpërmjet internetit dhe brenda po këtij afati, 31 dhjetorit, ne do të kemi një regjim të ri gati.

Nisma pritet të shkojë në Parlament, ndërsa pritet që çështja e kazinove do të jetë edhe debati i ri politik. Rama pati akuzuar aleatin e dikurshëm në qeveri se ka ndërhyrë në ndryshimin e projektligjin të lojërave të fatit, çka ka sjellë sipas tij këtë situatë të tillë.

“Për ata që po synojnë ta çajnë rrethimin për ligjin ekzistues, me metodat që e çanë koalicionin qeverisës kur u shty mbyllja e këtij aktiviteti marrëzie kombëtare, sqaroj dhe një gjë tjetër, që Lotaria Kombëtare nuk do ketë asnjë element të kazinove elektronike, ose siç njihen në gjuhën zyrtare “VLT”. Duke qenë se Lotaria Kombëtare është në koncesion i bërë, siç e dini në të shkuarën, bazohet në një ligj të veçantë dhe tej argumenteve të biznesit, të punësuarve, të të ardhurave, të cilat për hir të së vërtetës janë thuajse dyfishuar në raport me të shkuarën, – 54 milionë dollarë nga rritja e formalitetit dhe nga taksat përmes formalizmit, pavarësisht se 40 kompani kishte në të shkuarën dhe mblidheshin gjysma e taksave, tani ka 20 dhe mblidhen dyfishi i taksave, – në territorin e Republikës së Shqipërisë nga 1 janari nuk do ngrihet më asnjë qepen për baste dhe ashtu siç është përcaktuar në ligjin ekzistues nuk do ngrihet më asnjë qepen për kazino elektronike në asnjë zonë të banuar në 28 mijë km katror të Republikës së Shqipërisë”, paralajmëroi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë