Media Galeri

‘Shkoni në shtëpi…’, grevë urie kundër turizmit masiv në Spanjë

Nga Gazeta 'Si' - Aktivistët në Tenerife nisën një grevë urie duke protestuar ndaj turizmit masiv, i cili sipas tyre po shkatërron Ishujt Kanarie.

Ata kanë nisur protestën e organizuar nga “Canarias Se Agota”, ndërsa planifikojnë mobilizime dhe marshime të reja, më 20 prill në Tenerife, Lanzarote, La Palma dhe Gran Canaria.

Grevistët kanë bërë thirrje autoriteteve spanjolle të ndryshojnë modelin e turizmit për të mbrojtur Tenerife nga efektet negative të turizmit masiv, duke përfshirë ndotjen e detit, bllokimin e trafikut dhe mungesën e banesave të përballueshme për vendasit, pasi qiratë janë rritur, si në ishujt e tjerë spanjollë, ku banorët tani po flenë në makinat e tyre.

Në të njëjtën kohë, ata kërkojnë ndalimin e dy projekteve turistike: njëri ka të bëjë me ndërtimin e një hoteli me pesë yje me kapacitet 800 shtretër në La Tejita, një nga plazhet e fundit të virgjër të ishullit spanjoll dhe tjetri ka të bëjë me ndërtimin e hotelit Cuna del Alma dhe 3600 shtëpi pushimi në El Puertito, Tenerife jugore.

Fillimi i grevës së urisë kundër turizmit masiv, mobilizimi i parë i tillë në Spanjë, vjen pas shfaqjes së parullave kundër turizmit në zona të ndryshme të Tenerife.

“Turistë shkoni në shtëpi”,  vetëm disa nga mesazhet në anglisht, të cilat u shfaqën në mure dhe stola në Tenerife.

Medalja ka, sigurisht, dy anë. Vitin e kaluar, sipas statistikave nga ky rajon spanjoll, të ardhurat nga turizmi kaluan një të tretën e PBB-së së Ishujve Kanarie, ndërkohë që u krijuan vende pune për 400 mijë nga një milion banorë.

Megjithatë, siç vëren ekonomisti Jose Miguel Gonzalez, i specializuar në turizëm në Universitetin e La Laguna në Tenerife, nevojitet një planifikim më i mirë për të zgjidhur problemet e industrisë së turizmit të Ishujve Kanarie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë