Sociale

Shkodra vijon të jetë e përmbytur, në Obot kalojnë vetëm mjetet e ushtrisë

Gazeta Si - Edhe pse ka pasur një përmirësim të motit, në Bashkinë e Shkodrës vijon që të jetë e përmbytur një sipërfaqe prej 1350 hektarësh tokë pas reshjeve të shiut dhe shkarkimit të portave të hidrocentralëve.

Sipas një njoftimi të Emergjencave Civile këtë të diel në Njësinë Administrative, Ana e Malit vijon të jenë nën ujë 1300 hektarë tokë. Në rrugën e Obotit ka një rënie me 15 centimetra të nivelit të ujit. Megjithatë ka prezencë uji në 90 banesa.

Në rrugën e Obotit po operon një makinë e kalueshmërisë së lartë, që përdoret nga forcat e ushtrisë. Ujësjellësi Oblika 1 vijon që të mbetet jashtë funksionit.

Ndërkohë në njësinë administrative Dajç vijon të jetë nën ujë 50 hektarë tokë bujqësore.

Siç njoftojnë emergjencat Civile në këto zona kërkohen pako ushqimore për banorët e bllokuar nga uji, bazë ushqimore për blegtorinë dhe rreth 50-60 palë çizme të gjata për në fshatin Obot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë