Futboll

Shkëndija respekton parashikimet, një penallti i mjafton në Estoni

Ka mjaftuar një gol me penallti në fundin e ndeshjes për Shkëndinë e Tetovës që të marrë fitoren e parë në këto eliminatore të Ligës së Kampionëve. Ekipi shqiptar nga Tetova, me statusin e kampionit të Maqedonisë iu imponua ekipit estonez, Kalju që në minutat e para dhe tregoi vendosmërinë për të fituar këtë ndeshje të parë.

Shkëndija u duk se do e kishte vetëm çështje kohe gjetjen e golit në transfertën estoneze. Shumë tentativa në pjesën e parë, por asnjëri prej sulmuesëve të kuqezinjve nuk arritën ta gjnin rrugën e rrjetës. Rasti më i mirë ishte shtylla nga Radeski, por edhe me fillimin e pjesës së dytë ndeshja vijoi të ishte në barazim pa gola.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes ishte i njëjti ritëm. Shkëndija sulmonte duke kërkuar golin me çdo kusht dhe vendasit mbroheshin mirë. Por kur u mendua se ndeshja po shkonte drejt një barazimi pa gola, erdhi një ndërhyrje e gabuar nga mbrojtësi i Kalju duke shkaktuar penallti. Nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit Ibrahimi nuk gaboi, duke e kaluar në avantazh ekipin tetovar.

Me këtë fitore në transfertë, Tetova shkon më e sigurt në ndeshjen e kthimit, e cila luhet javën e ardhshme. Nëse kalon Kalju, Shkëndija do të ndeshet me ekipin fitues të çifit Sëlltik - Sarajevo.

Formacionet e të dyja ekipeve:

N. Kalju: Londak, Kulinitis, Avilov, Uge, Alidor, Mashitshev, Liliu, Subotin, Kirs, Markoviç, Paur. Trajner: Roman Kozhukhovski

Shkëndija Tetovë: Zahiov, Mici, Bejtulai, Alimi, Musliu, Murati, Husman, Totre, Ibraimi, Radeski, B. Ibraimi. Trajner: Qatip Osmani


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë