Futboll

Shkëndija e dashuruar me ngjyrat kuqezi, kërkon Jahmir Hykën dhe Naser Alijin

Fanella e Shkëndijës së Tetovës është me ngjyrat kuqezi, ashtu si Kombëtarja e Shqipërisë. Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse klubi tetovar kohët e fundit po parapëlqen lojtarë, të cilët më parë kanë veshur fanellën e Kombëtares kuqezi.

Ka luajtur për Shkëndijën Valon Ahmedi, aktualisht është pjesë e kësaj skuadre Kamer Qaka, të dy me një të kaluar te Shqipëria, ndërsa tani fokusi i drejtuesve të kësaj skuadre është te Jahmir Hyka dhe Naser Aliji. Edhe këta lojtarë kanë luajtur për Kombëtaren shqiptare, por prej disa vitesh nuk janë më pjesë e saj.

Naser Aliji gjate nje ndeshjeje me Kombetaren. Gazeta Si, 25 dhjetor 2021

Hyka dhe Aliji janë dy lojtarë me shumë përvojë, që do t’i bënin punë Shkëndijës, siç bën me dije shtypi sportiv në Maqedoninë e Veriut. Kohët e fundit ata kanë ndërruar kampionate të ndryshme dhe Shkëndija është pistë reale, duke ditur që klubi tetovar ka një mbështetje financiare të fuqishme.

Janë dy lojtarë në fund karriere, por me eksperiencën e dytë do t’i shërbenin Shkëndijës në këtë moment. Veçanërisht Hyka, i cili ka provuar të luajë në Gjermani, Zvicër, Greqi, Norvegji, Amerikë dhe Izrael. Po ashtu, ai është aktivizuar edhe me Tiranën në kampionatin tonë.

Jahmir Hyka me fanellen e Kombetares. Gazeta Si, 25 dhjetor 2021

Me skuadrën tetovare, përveç Qakës, aktivizohen aktualisht edhe Bruno Dita, si dhe dy shkodranët Rubin Hebaj dhe Sidrit Guri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë