Futboll

Shkëndija e Feronikeli bëjnë “vetëvrasje”, eliminohen nga Liga e Kampionëve

As kampionët e Kosovës dhe as kampionët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë mundur të kualifikohen për në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampionëve. Feronikeli dhe Shkëndija e Tetovës janë eliminuar, duke bërë “vetëvrasje” në fushat e tyre.

Krejtësisht i papritur ishte eliminimi i Shkëndijës, që e kishte fituar 0-1 në ndeshjen e parë me Nome Kalju të Estonisë në fushë kundërshtare. Tetovarët u mundën 1-2 në shtëpi, duke i dhënë lamtumirën kështu Ligës së Kampionëve që në turin e pare, edhe pse prtishmëritë ishin të mëdha. Ndeshja nisi shumë keq për ekipin shqiptar, që pësoi gol shumë shpejt, barazoi me Agim Ibraimin në pjesën e dytë me penallti dhe më pas pati shumë raste, por u godit në shtesë nga një gol i befasishëm dhe nuk kishte më çfarë të bënte. Shkëndija e Tetovës kalon tani në Ligën e Europës, ku do të ndeshet me Dudelanzh të Luksemburgut.

Nga ndeshja Feronikeli TNS, 0-1

U mund edhe Feronikeli në stadiumin “Fadil Vokrri”, i mbushur me tifozë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani kishte barazuar 2-2 në Uells me TNS dhe i mjaftonte edhe barazimi pa gola për t’u kualifikuar, por një gol i pësuar në pjesën e dytë bëri që edhe kampionët e Kosovës t’i japin lamtumirën Ligës së Kampionëve, pas humbjes 0-1. Ka pasur edhe protesat për gjykimin, pasi kosovarët kanë pretenduar për një penallti të pastër në minutën e fundit të ndeshjes, të paakorduar nga arbitri norvegjez. Feronikeli pret të mësojë kundërshatrin në Ligën e Europës, që do të dalë nga çifti Slovan Liberec-Sutjeska.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë