Shendet

Shkencëtarët u bëjnë thirrje grave shtatzëna të shmangin përdorimin e shisheve plastike

Shkencëtarët gjithnjë e më shumë po nxisin gratë shtatzëna të shmangin përdorimin e shisheve plastike pasi studimet kanë zbuluar se mikroplastikat mund të përfundojnë në fetus.

Ekspertët kanë rekomanduar përdorimin e shisheve prej qelqi ose metalike.

Luisa Campagnolo, eksperte shëndeti në Universitetin e Romës thotë se ka prova në rritje se mikro dhe nano plastika po përfundojnë gjithnjë e më shumë tek njerëzit.

Studimet e mëparshme kanë treguar që grimcat mikroskopike mund të përfundojnë në rrjedhën e gjakut të njeriut dhe madje edhe placentë.

Një studim i ri tek minjtë, i paraqitur në konferencën vjetore të shkencave në Amerikë ka treguar se plastika mund të përfundojë edhe në organet e fetusit.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se grimcat plastike që depërtojnë në indet njerëzore mund të ndikojnë në prodhimin e hormoneve të caktuara  dhe për këtë arsye mund të dëmtojnë proceset biologjike.

“Edhe pse hulumtimi për efektin e grimcave plastike në shëndetin e njeriut është në fillimet e tij, ka hapa të thjeshtë që mund të ndërmarrim të gjithë për të mbrojtur shëndetin tonë”, tha Campagnolo.

Shishet plastike mund të lëshojnë mikroplastika, veçanërisht kur ekspozohen në diell dhe këto mikroplastika futen në trupin tonë kur pimë ujë.

Campagnolo tha se për këtë arsye është e rëndësishme që të paktën gratë shtatzëna të mos përdorin shishe plastike.

“Ne nuk kemi pse të themi që mos të ulemi në një karrige plastike por mendoj se duhet të shmangim aq sa të mundemi”.

Philip Demokritou, ekspert në Universitetin Rutgers në New Jersey, tha se gjetjet e fundit janë 'shumë alarmante'.

“24 orë pasi minjtë kishin konsumuar ujë në plastikë, ne gjetëm mikro dhe nano plastikë në placentë. Dhe më e rëndësishmja, ne i gjetëm ato në çdo organ të fetusit”.

Demokritou bëri thirrje për më shumë investime në hulumtime për të kuptuar ndikimin e grimcave plastike në shëndetin e njeriut dhe përpjekjet për të ricikluar materiale ose kalimin në alternativa më të biodegradueshme.

“Unë nuk dua të tremb njerëzit, por kemi shumë të panjohura përsa i përket rreziqeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë