Shkencë

Shkencëtarët: Kemi vetëm 20 vjet kohë për të shmangur shfarosjen

Shkencëtarët lëshojnë sërish alarmin se nëse ndotësit më të mëdhenj të ajrit sot në botë nuk ndryshojnë qasjet e tyre karshi klimës; brenda dy dekadave do të jetë shumë vonë.

Walter Ricciardi, kreu i Institutit Superior të Shëndetit mbajti fjalën e tij para simpoziumit Ndërkombëtar të Shëndetit dhe Klimës, që këtë vit po zhvillohet në qytetin e Romës.

“Që sot vdekjet e lidhura me ndryshimet klimatike në Europë, si pasojë e motit ekstrem, herë me temperatura të acarta dhe herë me temperatura të nxehta, janë më mijëra. Por, nëse nuk veprohet shpejt për të reduktuar ndotjen, këto vdekje do të jenë me miliona pas 20 viteve të ardhshme”, deklaroi ai.

Ricciardi solli një shembull të thjeshtë për të ilustruar idenë e tij. Ai u kthye pas në kohë për të kujtuar fëmijërinë e brezit të tij.

“Ne mund të qëndronim jashtë shtëpisë përgjatë gjithë vitit dhe të mos rrezikonim. Sot, nipërit tanë nuk mund të dalin në një pjesë të mirë të ditëve të vitit, herë si pasojë e të nxehtit ekstrem, herë si pasojë e të ftohtit e stuhive ekstreme”, thotë ai.

Parashikimet e Ricciardit janë edhe më të zymta për të ardhmen. “E kemi kaluar pikën kritike dhe brenda një kohe të shkurtër njerëzit nuk do të mund të dalin për 200 ditë të vitit nga shtëpitë e tyre pa rrezikuar jetën nga koha e keqe”, shton ai.

Shifrat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë mbështesin pretendimet e shkencëtarëve. Sipas kësaj organizate, për 2017 janë rreth 7 milionë vdekje, që të gjitha të shkaktuara nga ndryshimet e klimës.

Ndërkohë, një raporti “Living Planet Report 2018” i Ëorld Ëide Fund doli në përfundimin se në katër dekadat e fundit janë zhdukur 60 për qind e vertebrorëve. Raporti ngre alarmin se zhdukja e tyre lidhet drejtpërdrejtë me ndryshimin e klimës dhe parashikon se nëse ecet me këto ritme, shpejt radha do t’i vijë njerëzimit.

Një pjesë e komunitetit të shkencëtarëve nuk besojnë më as se zbatimi me 100 për qind i paktit të Parisit për Klimën do t’i ndryshonte gjërat rrënjësisht. Ndikime pozitive, thonë ata, mund të ketë, por vetë pakti është vendosur në pikëpyetje si pasojë e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe ngurrimit të shteteve të tjera për të zbatuar masat e parashikuara nga ky pakt.

Sot, ndotësit më të mëdhenj të klimës janë SHBA, Kina dhe India. Brazili nuk bën pjesë tek ky klub, por politikat që do të ndjekë presidenti i ri i vendit karshi shpyllëzimit të Amazonës do të jenë me një rol thelbësor për klimën. Amazona konsiderohet si mushkëria e planetit nga shkencëtarët dhe ata kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin se dëmtimi i këtyre pyjeve do të jetë katastrofik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë