Futboll

Shkëmbim i bujshëm Inter-Barça. De Jong në Milano, Sançez në Katalonjë

Një lajm bombastik merkatoje nga Spanja. Sipas të përditshmes “Sport”, Interi dhe Barcelona janë shumë afër një shkëmbimi lojtarësh në huazimi në janar. Në Milano do të kalojë Luk De Jong, kurse në Katalonjë do të shkojë Aleksi Sançez, me miratimin e Seviljes, që ka në pronësi kartonin e sulmuesit holandez. Pritet vetëm “ok”-i i trajnerit Ksavi.

Trajneri Simone Inzagi e ka komplimentuar Sançezin pas ndeshjes së fundit, duke theksuar se të gjithë i dinë vlerat e tij, por kjo nuk do të thotë se e ardhmja e sulmuesit kilian nuk ndryshon pas kësaj deklarate. Ai tashmë është shumë pranë një rikthimi me fanellën e Barcelonës.

Luk De Jong dhe Aleksis Sançez. Gazeta Si, 16 dhjetor 2021

Shkëmbimi ka lindur si nevojë e Barcelonës për t’u liruar nga Luk De Jong, i marrë në huazim në sekondën e fundit nga Sevilja për të mbushur boshllëkun e lënë nga largimi i Grizmanit. Holandezi nuk pëlqehet nga trajneri Ksavi, sepse nuk i përshtatet lojës së tij, kurse Inzagi do të kishte në dispozicion një zëvendësues për Xhekon.

Në Katalonjë, ku ka lënë kujtime të mira, me 141 ndeshje dhe 47 gola, Sançez do të gjente në stol ish-shokun e skuadrës dhe një mënyrë loje që u përshtatet më shumë karakteristikave të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë