Kombetarja

Shkëlzen Gashi kthehet në Zvicër, "meteori" Ahmedi firmos me Shkëndijën

Dy ish-futbollistë të Kombëtares së Shqipërisë, Shkëlzen Gashi dhe Valon Ahmedi, janë bërë me skuadër të re. I pari është kthyer në Zvicër, në kategorinë e dytë, kurse i dyti ka nënshkëruar me Shkëndijën e Tetovës në Maqedoninë e Veriut.

Mesfushori Valon Ahmedi, një “meteor” me kuqezinjtë, pasi nuk mundi të linte asnjë gjurmë dhe u grumbullua shumë pak, është zyrtarizuar si lojtari më i ri i Shkëndijës së Tetovës. Emri i tij ishte përmendur edhe në kampionatin shqiptar si dëshirë e skuadrave pretendentë si Kukësi e Partizani, por ka zgjedhur të luajë për skuadrën e trajnerit Ernrest Gjoka në Maqedoninë e Veriut. Ahmedi ka luajtur për Mariborin në Slloveni, ndërsa vitet e fundit ka provuar të luajë në Izrael me Ironi Kajrat Shmona dhe në Kroaci me Inter Zapresiç.

Shkëlzen Gashi prezantohet tek Arau. Gazeta Si, 4 janar 2020

Shkëlzen Gashi ishte pa skuadër prej një kohe të gjatë, pas shkëputjes nga futbolli amerikan, ku luajti për Kolorado Rapids. Ai ka firmosur tashmë për Aaraun, skuadër e kategorisë së dytë në Zvicër, ku ish-sulmuesi kuqezi ka kaluar shumicën e karrierës. Ndryshe nga Ahmedi, ai ka luajtur një numër më të madh ndeshjesh me Kombëtaren e Shqipërisë. Lojtari 31-vjeçar synon të rilindë në vendin ku shpërtheu me Bazelin vite më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë