Politike

Shit-blerja e votës, Braho: Të ashpërsohen dënimet, në hetime edhe gjurmimi i paràve

Gazeta Si – Në strategjinë kombëtare për parandalimin e krimeve zgjedhore, kreu i SPAK, Klodian Braho, ka kërkuar ashpërsim të dënimeve, koordinim institucional, gjurmim të parave dhe hetime deri te përfituesit realë

Gjatë raportimit të tij në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ai theksoi se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve është një çështje e sundimit të ligjit dhe jo e debatit politik.

Braho tha se shitblerja e votës, presioni ndaj administratës dhe financimi i fushatave, mbeten problematika të përsëritura, të cilat vazhdimisht nënvizohen edhe në raportet e OSBE.

“Të rishikohet (ashpërsohet) politika penale (aktualisht sipas SPAK dënimi mesatar shkon deri në 13 muaj). ⁠Të gjurmohet paraja. ⁠TASK forca për zgjedhjet(SPAK+KQZ+PP) të kthehet në një mekanizëm të përhershëm me ligj. Të nisë puna 4 muaj para zgjedhjeve”, tha Braho në komision.

Braho theksoi se “hetimet nuk duhet të fokusohen vetëm te blerësi apo shitësi i votës”, por të ndjekin “gjurmën e financimit, për të identifikuar organizatorët dhe përfituesit realë të skemave të korrupsionit zgjedhor”.

Në analizën e tij, Braho ngriti edhe nevojën për rishikimin e politikës penale ndaj krimeve zgjedhore. Sipas tij, dënimet aktuale, me një mesatare prej rreth 13 muajsh burg dhe me përdorim të shpeshtë të alternativave ndaj burgimit, mund të mos kenë efektin e nevojshëm parandalues për një fenomen që cenon integritetin e procesit zgjedhor.

“Një nga çështjet që mund të vlerësohet në kuadër të reformës është rishikimi i politikës penale, si në raport me masën e dënimit, ashtu edhe me profilin dhe rolin e autorit në skemën e korrupsionit zgjedhor”.

Ai bëri të ditur se gjatë periudhës 2021-2026, SPAK ka administruar 233 materiale që lidhen me krimet zgjedhore, nga të cilat 157 janë regjistruar si procedime penale.

Vetëm për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 janë administruar 194 sinjalizime dhe kallëzime, ndërsa 46 procedime penale janë regjistruar, një pjesë e të cilave janë nisur me iniciativë të vetë SPAK.

Sipas tij, strategjia e ndjekur në zgjedhjet e vitit 2025 solli një qasje më proaktive, me koordinim më të madh mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme, KQZ-së dhe Policisë së Shtetit, duke rritur efektin parandalues ndaj krimit zgjedhor.

Sipas tij, gjetjet e OSBE/ODIHR nuk përbëjnë prova penale, por shërbejnë si tregues risku për të orientuar parandalimin dhe hetimet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë