Kombetarja

Shishet ndaj Polonisë, një ndeshje pa tifozë dhe gjobë 150 mijë franga për Shqipërinë

FIFA ka marrë vendimin për incidentet e ndodhura gjatë ndeshjes Shqipëri-Poloni, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të Katarit. Një ndeshje pa tifozë dhe 150 mijë franga gjobë, ky është dënimi që ka marrë FSHF-ja.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Federata Shqiptare e Futbollit, që është njohur sot në mbrëmje me vendimin e Komitetit Disiplinor të FIFA-s. Një dënim që pritej, madje ndoshta edhe më i ashpër, po të kemi parasysh se në ndeshjen me Poloninë loja u ndërpre për gati 25 minuta në pjesën e dytë, për shkak të shisheve të shumta që vërshuan drejt lojtarëve polakë, pasi ata shënuan golin e fitores.

Tifoze te Kombetares ne stadium. Gazeta Si, 22 tetor 2021

Ndeshja Shqipëri-Poloni u luajt më 12 tetor në “Air Albania Stadium”. Kuqezinjtë kanë edhe një ndeshje të fundit kualifikuese në shtëpi, atë me Andorrën, që do ta luajnë pa praninë e tifozëve.

FSHF ka bërë me dije se do të ndërmarë të gjithë masat, që situata të tilla të mos të ndodhin më në të ardhmen, pasi dëmtojnë Kombëtaren. Po ashtu, FShF do të shohë mundësitë për ankimim brenda afateve të parashikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë