Ngjarje

Sherri në Rrogozhinë, ka apo nuk ka zgjedhje në 30 qershor?

Ka apo nuk ka zgjedhje në datë 30 qershor? Politika është në kulmin e tensionit për këtë çështje. Qeveria këmbëngul që do ketë zgjedhje dhe po vazhdon fushatën nëpër Shqipëri. Ndërkohë, opozita është e sigurt se zgjedhje nuk do të mbahen dhe këtë bindje e kishte edhe para se presidenti Ilir Meta ta zhdekretonte 30 qershorin. Policia dhe garda ndërkohë dhe përkatësisht çdo komisariat ka përpiluar planin e masave për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë tubimeve të Partisë Socialiste. Për këtë arsye një ditë para mitingjeve, komisariatet caktojnë vendin ku do të zhvillohen tubimet edhe forcat e rendit.
Por, “lufta” zgjedhore për këdo është veçanërisht e prekshme në ekranet e mediave, të cilat përcjellin deklaratat seri të secilit prej kampeve. Ndërkohë, sherri i 30 qershorit ka zbritur edhe në bazë. Prokuroria e Kavajës ka nisur këtë të enjte hetimin pas një kallëzimi që ka lidhje pikërisht me një incident të ndodhur për debatin e zgjedhjeve vendore edhe në këtë bashki. Sherri ka ndodhur mes dy qytetarëve të Rrogozhinës që siç duket, njëri prej tyre është nën urdhrat e kryetarit të Bashkisë atje dhe tjetri është i krahut socialist.
Kallëzimi është dorëzuar të mërkurën nga Skënder Dedei i moshës 60 vjeç. Denoncuesi ka funksionin e sekretarit të KZAZ numër 43 në Rrogozhinë, dhe i përket kampit që është pro zgjedhjeve të 30 qershorit. Dedei ka kallëzuar “rivalin” e tij politik edhe ai nga Rrogozhina. Sipas tij, të mërkurën në orën 12.00 shtetasi Shpendi Dema 33 vjeç, i cili është përgjegjës i zyrës së Kadastrës në Bashkinë Rrogozhinë ka ndërruar fishekun e bravës të derës së jashtme të Pallatit të Kulturës. “Dema më tha verbalisht se me urdhër të kryetarit të Bashkisë po e kryente këtë veprim pasi sipas tij në datën 30 qershor nuk do ketë zgjedhje”, denoncon sekretari i KZAZ. Por, i kallëzuari e ka mohuar diçka të tillë me pretendimin se nuk kishte shkuar për të ndërruar bravën dhe se bashkëqytetari i tij ishte keqkuptuar.
“Unë shkova në Pallatin e Kulturës në zyrat e KZAZ numër 43 për të marrë disa pajisje kryesisht foni zëri, për t’i përdorur në një aktivitet”, tha ai. Në këto kushte prokurorisë do t’i duhet së pari të verifikojë nëse është ndërruar apo jo brava në të vërtetë dhe kush gënjen. Për këtë shpresohet të ketë pasur edhe dëshmitarë të cilët do të tregojnë se çfarë dëgjuan në sherrin e “30 qershorit” të zhvilluar mes dy nëpunësve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë