Ana e errët

Sherri me thika në Sarandë, flasin dëshmitarët: Pamë persona të lyer me gjak. Viktima e la makinën në hyrje të hotelit

Gazeta Si - Sherri banal për një vend parkimi në Sarandë përfundoi në një tragjedi për 41-vjeçarin Klodian Bakiaj nga Tepelena.

Para një jave, ai e kishte lënë makinën përpara një hoteli, por pavarësisht njoftimit të një prej punonjësve për të liruar rrugën, konflikti ka vijuar deri në përdorimin e thikës.

Një prej dëshmitarëve, tregon se ka tentuar të hyjë me forcë në ambientet e hotelit për t’u sqaruar me njërin prej autorëve të krimit.

Por për fat të keq, gjithçka ka precipituar shumë shpejt dhe nga përleshja mes vëllezërit Tarja, punonjës të hotelit, 41-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend.

“Pashë tre persona të lyer me gjak”… Kështu e nis rrëfimin e saj R.A., e cila gjendej brenda hotelit ditën kur ndërkohë jashtë po ndodhte përleshja me thika.

“Jashtë dëgjova të bërtitura dhe dola të shikoj te porta dhe pashë kushëririn tim, i cili po mbante portën që mos të futej brenda personi me të cilin po grindeshin. Ai po ofendonte nga jashtë portës dhe donte të hynte me forcë në hotel. Viktima ia bëri me dorë kushëririt që do të kthehem përsëri dhe u largua.

Ne dolëm jashtë dhe po rrinim, shikojmë që personi i cili u konfliktua, erdhi përsëri dhe filloi të shante e të qëllonte me grushte dhe me shkelma në drejtim të XH. Më pas ka dalë Xhoi, vëllai i XH. dhe po grindeshin me njëri-tjetrin. Kam marrë në telefon policinë dhe më pas kam parë tre persona të lyer me gjak. Hyra brenda dhe kam marrë babain tim dhe i kam thënë që të vinin se po bëhej sherr”, rrëfen ajo.

E reja tregon se pa në distancë një thikë të flakur përtokë dhe viktimën të shtrirë përtokë. Çështja e hetuar nga prokurorja Alba Dima - sipas burimeve të Gazetasi.al, - po ndiqet për akuzën e vrasjes në bashkëpunim të Klajdi Bakiaajt, me autor shtetasin Xhoi Tarja. I pyetur përpara gjykatës, i riu këmbnëgul se ndërhyri për të mbrojtur të vëllain.

“Kam filluar punë prej muajit prill në një hotel në Sarandë bashkë me vëllain tim. U punësuam si pastrues pishinash. Isha brenda në hotel dhe pashë vëllain që po grindej me një person, në këtë moment kam marrë një thikën te guzhina dhe dola jashtë. Kam parë vëllain të shtrirë përtokë dhe në tension e sipër e kam goditur personin që po zihej me vëllain tim. Nuk mbaj mend se ku e kam goditur dhe sa herë, por thikën mbaj mend që e kam hedhur poshtë. Jemi larguar bashkë me vëllain, hymë në hotel, u ndërruam dhe pastaj mora në telefon babain. I kam shpjeguar se çfarë kishte ndodhur dhe i thamë që gjendeshim në një garazh të hotelit, ndaj njofto policinë. Më pas erdhi policia dhe na ka marrë”, thotë i akuzuari sipas burimeve të sigurta të Gazetasi.al.

Shkaktari i grindjes ishte i vëllai i të dyshuarit, shtetasi Xhanelo Tarja, thotë prokuroria për Gazetasi.al. Edhe ai dyshohet për vrasje në bashkëpunim.

“Rreth orës 18.00 ka ardhur një veturë, brenda të cilës ndodhej një person dhe që nuk e njihja. Ai parkoi makinën te hyrja e hotelit duke e bllokuar. Unë dola dhe i thashë ta largonte makinën se kishte bllokuar hyrjen. Më shau dhe më goditi. U largova dhe hyra në recepsion, por ai erdhi dhe aty dhe më goditi dhe ndërhynë persona të tjerë që na ndanë, të cilët e nxorën jashtë”, ka rrëfyer i riu. Ai thotë se i panjohuri ishte kthyer sërish.

“Erdhi përsëri pas disa minutash dhe më goditi, u përballëm të dy, unë e kam kapur nga mesi dhe nuk më kujtohet asgjë vetëm kur kam parë gjak nga trupi dhe jam larguar sëbashku me tim vëlla, derisa telefonuam babain dhe i kërkuam të njoftojë policinë se do të dorëzoheshim”, ka thënë ai.

Bëhet me dije se për krimin në Sarandë, është vendosur nën hetim dhe administratori i hotelit. Burimet i thanë Gazetasi.al, se ky shtetas është vënë nën procedim penal nga Komisariati i Sarandës për moskallzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë