Rend dhe Ligj

Sarandë, kamerieri i një hoteli vret me thikë 41-vjeçarin pas sherrit për parkimin. Në pranga dy vëllezërit

Gazeta Si - Një 41-vjeçar mbeti i vrarë pasditen e së mërkurës në Sarandë, ku shkak dyshohet se është bërë konflikti për një vend parkimi.

Klodian Bakia banues në Tepelenë u godit me thikë në zemër nga 24-vjeçari Xhanelo Tarja nga Laçi, kamerier në një hotel, i cili pas krimit u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua gjatë orëve të mbrëmjes. Ai u gjet i fshehur në garazhin e një pallati.

Sipas policisë ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në Lagjen numër 1 të qytetit bregdetar, pas një konflikti të çastit.

Së bashku me autorin, ka rënë në pranga dhe vëllai i tij, Xhoi Tarja 18 vjeç, i dyshuar se ka qenë bashkëpunëtor në këtë ngjarje.

Të dy të rinjtë që punonin si kamerierë, do të akuzohen për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Policia ka arrestuar gjithashtu dhe administratorin e hotelit në Sarandë, Genci Ahmeti 41 vjeç ku punonin të dy vëllezërit, pasi tentoi të fshihte ngjarjen. Ai akuzohet për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Konflikti mes tyre ka nisur pasi 41-vjeçari Klodian Bakia nga Tepelena kishte parkuar para hotelit, ku punonte si kamarier i riu nga Laçi.

Viktima ka refuzuar kërkesën e 24-vjeçarit për të hequr makinën nga ai vendparkim çka solli fillimisht konfliktin verbal mes tyre dhe më pas atë fizik që përfundoi me përdorimin e armës së ftohtë.

Ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të hotelit "Conte Monte Cristo", në lagjen numër 1 të qytetit bregdetar.

Pas goditjes me mjetin prerës, 41-vjeçari Bakia u transportua në spital por nuk ka mundur t'u mbijetojë plagëve të marra.

Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë