Futboll

Sherri i presidentëve Laska-Halili, procedohen në gjendje të lirë

Përsëri sherr në futbollin shqiptar. Këtë herë duket se situata ka prekur fundin, pasi bëhet fjalë për një sherr mes presidentëve Pashk Laska të Laçit dhe Refik Halili të Tiranës, të cilët po procedohen në gjendje të lirë. Laçi-Tirana ishte një ndeshje me nerva të tendosura, pas asaj që ndodhi pak ditë më parë në ambientet e stadiumit “Selman Stërmasi”. Sherri i nisur në këto ambiente mes sulmuesit Majkëll Ngo dhe presidentit të Laçit, Pashk Laska, ka vazhduar në Laç, vetëm se përfaqësuesi i Tiranës ka ndryshuar.

Presidenti i Laçit, Pashk Laska, dhe presidenti i Tiranës, Refik Halili janë konfrontuar fizikisht mes tyre. Gazeta Si mëson se Halili është dhunuar pas ndeshjes në Laç nga Laska, i cili e ka goditur me një dorezë hekuri. Një skandal i vërtetë. Sherri ka vazhduar edhe më tej, teksa Laska e ka ndjekur Halilin gjatë kthimit për në Tiranë. Në vendin e quajtur "Shqiponja" ata janë ndalur dhe janë konfrontuar fizikisht mes tyre. Pas sulmit të Laskës, edhe Halili ka reaguar.

Në njoftimin zyrtar të policisë për këtë ngjarje sqarohet se të dy presidentët po procedohen në gjendje të lirë: “Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.6, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit R. H., dhe P. L. Procedimi ndaj këtyre shtetasve filloi pasi, në zonën e ish-doganës së vjetër, pranë sheshit “Shqiponja” janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin. Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal”.

Refik Halili

Ngjarje e tmerrshme. Në një vend ku presidentët e klubeve rrihen mes tyre, sigurisht që për futboll nuk mund të flitet. Laska u dënua ditën e hënë me tri ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së për incidentin e “Selman Stërmasit”, ashtu si dhe djali i tij, Kleo Laska, por ky dënim duket se vetëm sa ia ka shtuar inatin kreut të klubit kurbinas. Sipas dënimit të Disiplinës, Laskës nuk i lejohej as qëndrimi në stadium dhe ambientet përreth për këto tri javë. Ndeshja në Laç u mbyll 2-0 në favor të Laçit, por u kualifikua Tirana, falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë. Ndeshja pati shumë tension, ndërkohë që në stadium ishin të pranishëm një numër i lartë i efektivëve të FNSH-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë