Sociale

Rezultuan negativë në testin e dytë, shërohen dy pacientë nga COVID-19 në Shqipëri

Dy pacientë të shtruar në Spitalin Infektiv si të prekur nga koronavirusi janë të pastër tashmë. Lajmi i shërimit të tyre është dhënë nga Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

"Testi i dytë konfirmon negativ kontaktin e parë të pacientit zero. Del negativ edhe një pacient tjetër. Mirënjohje me përunjësi mjekëve të spitalit infektiv", shkruan Kryeministri në rrjetet sociale.

Testet e dyta të dy pacientëve kanë rezultuar negativë dhe sipas protokolleve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ata konsiderohen si të shëruar plotësisht dhe gati për të lënë spitalin.

Njëri prej pacientëve është shtetasi Viktor Kola, që u shtrua i pari në Spitalin Infektiv së bashku me djalin e tij, që sapo ishte kthyer nga Italia. Personi tjetër është një kontakt i Viktor Kolës, identiteti i të cilit nuk bëhet publik.

Autoritetet thanë fillimisht se virusi ishte përhapur nga djali i Viktor Kolës, por vetë ky i fundit e ka mohuar këtë duke deklaruar se kishte shfaqur simptomat e koronavirusit dy ditë para se djali i tij të kthehej nga Italia.

Ndërkohë, numri i personave të infektuar në total nga koronavirusi në Shqipëri është 70. Dy prej tyre kanë humbur jetën, një 73-vjeçare nga Durrësit dhe një 63-vjeçar nga Lushnja, që të dy me probleme të tjera shëndetësore, sipas autopsisë së mjekëve.

Gjashtë ishin rastet e reja që autoritetet identifikuar këtë të premte, ndërkohë që në Spitalin Infektiv numri i të shtruarve po rritet vazhdimisht, ku 4 prej tyre ndodhen në terapi intensive.

Për të shmangur skenarin italian, atë të mbingarkesës së sistemit shëndetësor, autoritetet kanë përsëritur vazhdimisht thirrjen për të shmangur të gjitha lëvizjet, ndërsa Qeveria ka ashpërsuar masat e kufizimit të lëvizjeve, duke nxjerrë së fundmi edhe ushtrinë në ndihmë të policidë në Tiranë.

Blindat e Forcave të Armatosura u filmuan në orët e pasdites së të premtes teksa patrullonin rrugët e kryeqytetit, ndërsa Kryeministri Rama deklaroi se ushtria do t’i vinte në ndihmë policisë për të penalizuar me masa administrative që shkojnë në gjoba të majme për të gjithë ata që shkelin oraret e qarkullimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë