Sociale

Shërbimet në e-Albania, Karçanaj: U kemi kursyer emigrantëve 99 vite kohë

Drejtoresha e AKSHI-së, Linda Karçanaj, thotë se përmes platformës qeveritare e-Albania, emigrantët shqiptarë kanë nisur të trajtohet si qytetarë europianë.

Ajo thekson se deri më tani, janë mundësuar rreth 436 mijë aplikime online për pasaportë dhe kartë ID, për shtetasit shqiptarë, rezidentë jashtë kufijve.

“E-Albania është zgjidhje edhe për ‘hallet’ e shtetasve shqiptarë rezidentë jashtë kufijve! Iku koha kur emigrantët shqiptarë, me gjithë ngarkesat dhe vështirësitë e të jetuarit në vend të huaj, sorollateshin zyrave të konsullatës për të caktuar ditën dhe orën e takimit për të aplikuar për pasaportë apo kartë identiteti të re. Është koha që emigrantët shqiptarë të trajtohen si qytetarë evropianë!”, - shkruan kreu i AKSHI-së në një postim.

Sipas Karçanajt, “sot, takimi rezervohet online në më pak se 5 minuta, duke u kursyer emigrantëve rreth 99 vite kohë pritje në radha”.

Portali qeveritar e-Albania, ofron një sërë shërbimesh funksionale, nga certifikatat e gjendjeve civile përkatëse, te pajisja me dëshmi penaliteti dhe aplikimi për vërtetimin e verifikimit të lejes së drejtimit (patentës) për konvertim ose denoncim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë