Kombetarja

Shënoi ndaj Moldavisë, Ramadani kërkon ndjesë për festën “e keqe”

Ylber Ramadani ishte protagonist në ndeshjen e fundit të Kombëtares ndaj Moldavisë, ku kuqezinjtë fituan 2-0. Shënoi golin e dytë në kohën shtesë dhe festoi si “i çmendur”, duke hequr fanellën dhe duke e gjuajtur më pas me shkelm. Emocione të forta për golin e parë me Kombëtaren nga mesfushori nga Ferizaj, i cili së fundi ka bërë një postim në Instagram, ku kërkon ndjesë për atë mënyrë festimi të padenjë, që sipas tij, nuk kishte asnjë qëllim të keq, por edhi thjesht nga entuziazmi i madh i golit.

“Përshëndetje miq! Ju falënderoj të gjithëve për komentet pozitive dhe ato negative sa i përket çështjes së bluzës. Ju kërkoj shumë ndjesë për hedhjen e bluzës, me të vërtetë një gjest i papranueshëm, por më besoni që ndodhi si pasojë e moskontrollimit të emocioneve dhe nuk kisha asnjë qëllim të keq. Ju kërkoj shumë ndjesë. Zoti ju bekoftë të gjithëve!”, - shkruan mesfushori i Kombëtares në postimin e tij në Instagram.

Ylber Ramadani dhe Odise Roshi festojnë golin e dytë ndaj Moldavisë

Ylber Ramadani është përfolur ditët e fundit për një rikthim të mundshëm te Partizani, duke qenë se drejtimin e këtij ekipi pritet ta marrë italiani Adolfo Sormani. Ishte pikërisht ky trajner që e mori Ramadanin në Danimarkë, tek ekipi i Vejles, që sezonin e fundit ra nga kategoria. Vetë futbollisti nuk e ka mohuar rikthimin në kampionatin shqiptar, edhe pse është ende nën kontratë me ekipin danez. Mesfushori 23-vjeçar kaloi në Kombëtare, pasi spikati me fanellën e Partizanit dhe të ekipit Shpresa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë