Sociale

Shënohen 59 viktima nga Covid-19, vdes 69-vjeçari në Spitalin Infektiv

Një pacient 69-vjeçar nga Shkodra ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej 10 ditësh në gjendje të rëndë. Ministria e Shëndetësisë ka bërë me dije se gjendja e pacientit është përkeqësuar si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje. Pacienti vuante nga hipertensioni dhe kjo e ka rënduar edhe më tej gjendjen e tij.

Në dy ditët e fundit, shkon në tre numri i të vdekurve. Ministria e Shëndetësisë informoi paradite gjatë raportimit ditor të gjendjes se dy pacientë të tjerë kishin humbur jetën.

Një paciente 78-vjeçare nga Tirana e transferuar nga një spital privat ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv dhe një 83-vjeçar nga Durrësi që vuante nga hipertensioni.

Tomimi theksoi se në Spitalin Infektiv janë shtuar pacientët, mes të cilëve edhe ata që kanë nevojë për terapi intensive.

Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 59.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë