Ekspozite

Shën Llazari shqiptar ringjallet në UNESCO

Në korridorin e gjatë, pranë zyrës së Drejtores së Përgjithshme, Audrey Azoulay të UNESCO-s, të mbushur me copëza trashëgimie kulturore nga e gjithë bota, tanimë ndodhet edhe një objekt i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Ikona “Ringjallja e Llazarit”, ikonë e shek. XVIII, që mban firmën e një prej ikonografëve më të njohur, Kostandin Zografit, do të qëndrojë aty e ekspozuar përgjatë dy viteve të ardhshme. Sipas mbishkrimit që mban, ikona "Ngjallja e Llazarit" është realizuar në vitin 1770. Ajo dekoronte kishën "Burimi Jetëdhënës" në Korçë dhe paraqet një nga skenat më të njohura biblike, atë të ringjalljes së Llazarit nga Krishti. Ikona është punuar në një panel monolit prej arre, me përmasa 54,5 x 44 x 3,5 cm me tempera veze.

Kjo ikonë ishte pjesë e ekspozitës së një viti më parë, e hapur me rastin e 60-vjetorit të UNESCO-s, dhe pas mbylljes së saj, “Ringjallja e Llazarit”, së bashku me veprat e tjera të ekspozitës u rikthye në Shqipëri, pranë Muzeut Mesjetar të Korçës. Por tani sipas një kontrate dhurimi dy vjeçare të Ministrisë së Kulturës,  ky objekt udhëtoi drejt Parisit dhe do të qëndrojë i ekspozuar në ambientet e UNESCO-s.

Gjatë ceremonisë së ekspozimit, Azoulay u shpreh e kënaqur që “kjo vepër e jashtëzakonshme e ringjalljes dhe shpresës, ekspozohet në ambientet e UNESCO-s”.

“Krahas mesazhit të ringjalljes, kjo ikonë mbart edhe një tjetër mesazh. Zografi ka qenë një mjeshtër i ngjyrës, i kontrasteve të forta dhe pavarësisht se bëhet fjalë për një skenë biblike, autori ka përdorur edhe motive lokale. Kjo është arsyeja pse edhe është zgjedhur”, u shpreh Ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë takimit inaugurues në Paris ku kishte të ftuar edhe plotë shqiptarë të tjerë.

Ikona “Ngjallja e Shën Llazarit” lidhet më një rit të njohur fetar, që festohet të shtunën e parë para Pashkëve, e që njihet në historinë e Biblës me Ringjallja e Shën Llazarit – një nga mrekullitë e Jezu Krishtit.

Sipas besimeve popullore Llazari është mbrojtësi i pyjeve. Ai simbolizon kufirin mes jetës tokësore dhe botës së përtejme. Atij i janë kushtuar shumë këngë dhe valle, të cilat pasqyrojnë urimet për shëndet dhe bereqet. Bekohen të zotët dhe të zonjat e shtëpisë, rinia, fëmijët dhe nuset. Vajzat e reja shkojnë shtëpi më shtëpi duke vallëzuar dhe atyre u shpërndahen vezë të palyera dhe para. Ky rit mbyllet me kthimin e vajzave nga ajo rrugë që kanë ardhur. Ikona “Ringjallja e  Llazarit” është përfaqësuese e artit ikonik shqiptar që mori një zhvillim të ri mes shekullit XVIII dhe XIX.

Shek. XVIII në Shqipëri karakterizohet nga një zhvillim mjaft i rëndësishëm ekonomiko-shoqëror, me rritjen e tregtisë e të qyteteve, me ndërtimin e shumë institucioneve kulti dhe me stolisjen e tyre me vepra arti të gjinive të ndryshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë