Sociale

Shembja fatale e skelës, dy të arrestuar, në kërkim administratori

Policia e Tiranës ka arrestuar drejtuesit teknikë të punimeve në firmën “Xhimi” dhe skela “Syla”, një ditë pas ngjarjes tragjike të shembjes së skelës në punimet e një pallati trembëdhjetëkatësh në rrugën “Faik Konica”, që u shënua me një bilanc fatal me dy viktima dhe tre të plagosur.
Dy punëtorët Ergys Brahimaj 31 vjeç dhe Orjan Kodra 36 vjeç humbën jetën ndërsa Genti Bardhi 29 vjeç, Altin Marku 36 vjeç dhe Euglidios Lika 34 vjeç ju plagosën kur u rrëzua skela metalike.
Policia e Shtetit bën të ditur se Xhimi Tarushi 41 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve në firmën “Xhimi”, njëkohësisht administrator i kësaj firme, u arrestua në flagrancë akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Në pranga u është edhe Ilir Bendo 44 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i sigurisë së punimeve në firmën skela “Syla”, i arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë".
Gjithashtu bëhet e ditur se në kërkim është Petrit Syla, me detyrë administrator i firmës Skela “Syla”. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ngjarja tragjike ndodhi dje në Tiranë në rrugën “Faik Konica” në pallatin Nr. 2, në momentin ku punëtorët po kryenin punime në fasadën e jashtme të objektit, ku do të bëhej veshja me sistemin termoizolues (kapot). Punimet ishin marrë përsipër nga firma “Xhimi” me administrator e drejtues teknik punimesh, shtetasin Xhimi Tarushi. Po në këtë objekt, firma skela “Syla” me administrator shtetasin Petrit Syla dhe Drejtues Teknik të punimeve e montimit të skelës, inxhinierin Ilir Bendo ka montuar skelën metalike për punimet në fasadë.

Trupi i pajetë i punëtorit


Policia bën të ditur se si pasojë e punimeve në këtë pallat, rreth orës 15.00 është rrëzuar skela metalike, e për pasojë kanë humbur jetën shtetasit E.B., 31 vjeç, punëtor ndërtimi në firmën "Xhimi, si dhe shtetasi O.K, 36 vjeç, punëtor i firmees Skela “Syla”.
Policia e shtetit bën të ditur gjithashtu se për këtë ngjarje filloi procedimi penal për veprën penale “ Shpërdorimi i detyrës “, për punonjësit e Inspektoriatit të Punës Tiranë, pasi punonjeesit nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti dhe po vazhdon puna për dokumentimin ligjor për këta punonjës.


Inspektorati: Firma me risk të lartë
Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë Inspektoriati Shtetëror i Punës bën të ditur se nga hetimet paraprake dhe informacioni i marrë pranë vendit të ngjarjes, punëmarrësit kanë qenë duke çmontuar skelën në krahun nga mbrapa pallatit me orientim Jug-Lindje. Gjatë çmontimit të saj ka lëvizur skela në formën e (valës së detit) dhe më pas është shembur, duke sjellë si pasojë plagosjen e 3 punëmarrësve dhe 2 punëmarrësi me pasojë vdekjen. Ky subjekt është inspektuar 13 herë nga Inspektoriati i Punës ku 7 herë është kontrolluar gjatë periudhës 2018-2019. Në vendimet e inspektimit janë lënë detyra në lidhje me respektimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë, duke qenë se subjekti është me risk të lartë. “Sipas informacioneve të marra në vendin e ngjarjes rezulton dhe një punëmarrës i këtij subjekti i cili është aksidentuar me pasojë vdekjen. Administratori i këtij subjekti është ndaluar nga policia dhe shoqëruar në Rajonin Nr. 1. Nuk kemi të dhëna për emrin e punëmarrësit të aksidentuar. Në sistem nuk ka histori inspektimesh. Ky subjekt nuk ka deklaruar adresën e ushtrimit të aktivitetin në vendin ku po kryenin punimet”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë