Pavarësisht kundërshtimit dhe rezistencës së artistëve dhe shoqërisë civile, godina e Teatri t Kombëtar është kthyer sot në një grumbull rrënojash. Ka qenë ora 04:30 e mëngjesit të së dielës kur fadromat nisën shembjen e godinës, duke shënuar në këtë mënyrë edhe fundin e një beteje që vijoi prej dy vjetësh e gjysmë.
Forca të shumta policie dhe ato të RENEA-s, ndërhynë për të nxjerrë jashtë aktorët dhe aktivistët e ngujuar brenda godinës. Tentativat e artistëve për të ndaluar shembjen e Teatrit, çuan edhe në tensione e përplasje të forta mes tyre dhe efektivëve të policisë.
Disa prej artistëve dhe përfaqësues të opozitës u shoqëruan dhe më pas u lanë të lirë.
Si u arrit në këtë vendim
Qeveria e transferoi tokën e Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë, me anë të një vendimi të marrë më 8 maj dhe të botuar brenda të njëjtës ditë në Fletoren Zyrtare.
Përpara vendimit, 5 522 metra katrorë të godinës së teatrit dhe të oborrit të tij ishin në pronësi të Ministrisë së Kulturës.
Qeveria ka deklaruar se teatri i ri do të ndërtohet me fondet e buxhetit, dhe për të do të përdoret projekti i arkitektit Bjarke Ingels.
Pasi e mori në pronësi, Këshilli Bashkiak i Tiranës nuk ka pritur gjatë dhe të enjten e kaluar mori vendimin për shembjen e Teatrit.
Edhe pse mënyra e marrjes së vendimit u cilësua jotransparente, Bashkia deklaroi se Teatri do të shembet bazuar në akt-ekspertimin e Institutit të Ndërtimit.
Artistët: Simboli mbetet
Regjisori Edmond Budina, një nga mbrojtësit e Teatrit, deklaroi se shembja e ndërtesës shënon edhe ditën e vendosjes së një diktature në Shqipëri.
Budina tha se pavarësisht shembjes së godinës, Teatri mbetet simbol i qëndresës përballë forcës së pushtetit, nga e cila artistët nuk do të tërhiqen.
“Shembën muret, por jo simbolin. Ne nuk tërhiqemi. Nuk ka përfunduar asgjë. E dimë shumë mirë që diktatura nuk bie në një ditë. Rezistenca jonë mbi dyvjeçare nuk ishte e rastësishme. Ishte një maratonë, jo një sprint. Do të na ketë nga mbrapa, do të na ketë në ndërgjegje”,tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.