Bashkimi Europian po zbaton një taksë të re mbi importet, për të kufizuar blerjet nga platformat elektronike të modës së shpejtë si SHEIN, Temu dhe të ngjashme. Çmimet e tyre të ulëta fshehin një realitet toksik, pasi testimet zbulojnë se këto veshje ultra të lira mbartin një kosto të fshehur për shëndetin e njeriut.
BE blen afërsisht 4.5 milion ton tekstile të modës së shpejtë çdo vit. Mbi 5.8 milion pako të tregtisë elektronike me vlerë të ulët hyjnë në bllok çdo ditë, me marka si Shein, Temu dhe AliExpress që tërheqin më shumë se 400 milion blerës mujorë.
Më shumë se 90 për qind e këtyre artikujve të veshjeve të tregtisë elektronike janë bërë nga polimere sintetike të lira si poliesteri, elastani dhe najloni. Këto veshje janë në thelb plastika të buta që nuk biodegradohen dhe përfundimisht bëhen mikroplastikë.
Deri më tani, këto produkte dërgoheshin direkt nga fabrikat jashtë shtetit tek konsumatorët, duke anashkaluar kontrollet e BE-së mbi kimikatet dhe përbërësit e dëmshëm. Direktiva e re doganore e BE-së do të kërkojë të dhëna elektronike të gjurmimit për çdo pako hyrëse dhe autoritetet kufitare mund të kontrollojnë dërgesat për nivele të paligjshme kimikatesh dhe shkelje të sigurisë përpara se të hyjnë në Europë.
Sipas Pelle Moos, ekspert kimik dhe oficer politikash në grupin e konsumatorëve BEUC, “çdo sekondë, rreth 200 produkte hyjnë në BE. Ndërsa po zhvillojmë këtë bisedë, pothuajse një mijë produkte do të kenë hyrë në Europë dhe vetëm një pjesë e tyre do të jenë inspektuar”.
Autoritetet dhe grupet e konsumatorëve gjejnë vazhdimisht atë që Moos e përshkruan si norma “astronomike” të mospërputhshmërisë kur hetojnë produktet e shitura përmes kanaleve ultra të modës së shpejtë.
“Po flasim për një interval prej 70-80 për qind,” tha ai.
Alarmet për kimikatet e tekstilit dhe modës janë rritur ndjeshëm, me dhjetëra alarme ndërkombëtare të paraqitura cdo vit në Sistemin e Alarmit të Shpejtë të BE-së. Më shumë se 72 për qind e këtyre alarmeve zyrtare të tekstilit përmendin rreziqe të drejtpërdrejta për shëndetin e njeriut, duke përfshirë reaksione të rënda alergjike, djegie kimike nga formaldehidi i tepërt dhe dëmtime të mundshme të organeve nga metalet e rënda.
Organizata e konsumatorëve Testachats gjithashtu testoi lodrat Shein dhe gjeti rezultate shqetësuese.
“Vetëm një ishte plotësisht në përputhje. Është e rëndësishme të theksohet se ne nuk zgjodhëm posaçërisht produkte që dukeshin të pasigurta në faqen e internetit. Ne zgjodhëm rastësisht 45 lodra. Rreth 60 për qind paraqisnin një rrezik të vërtetë sigurie, duke përfshirë pjesë të vogla që mund të gëlltiteshin ose komponentë elektronikë që nuk ishin mbyllur siç duhet,” tha zëdhënësja Laura Clays.
“Është me të vërtetë më e keqja që po shohim,” tha Moos. “Këto janë kimikate që i kemi ditur prej dekadash se janë të dëmshme. Kimikate që mund të shkaktojnë kancer, infertilitet, probleme zhvillimore tek fëmijët dhe që vazhdojnë në mjedis.”
Një raport laboratorik i vitit 2025 i publikuar nga Greenpeace zbuloi se 32 për qind e produkteve Shein të testuara tejkaluan kufijtë e BE-së për Regjistrimin, Vlerësimin, Autorizimin dhe Kufizimin e Kimikateve (REACH).
Një hetim i qershorit 2025 nga BEUC paralajmëroi për “bomba kimike” në shumë produkte për fëmijë. Dhjetë nga 25 artikujt e testuar përmbanin kimikate të rrezikshme, përfshirë atë që studiuesit e përshkruan si një “bombë”,- një palë pantofla për fëmijë.
Nxehtësia e trupit dhe djersa mund të veprojnë si tretës natyralë, duke lejuar që substancat e kufizuara të rrjedhin nga rrobat në lëkurë. Njerëzit gjithashtu thithin fibra tekstili dhe kimikate të lëshuara nga pëlhurat, ndërsa fëmijët e vegjël shpesh përtypin rroba. Nxehtësia, djersa, veshja e zgjatur dhe lëkura e dëmtuar mund të rrisin përthithjen.
Midis 56 veshjeve të testuara, Greenpeace gjeti përqendrime të ftalateve deri në 200 herë më të larta se kufiri i BE-së. PFAS, ose “kimikatet e përjetshme”, u gjetën në shtatë xhaketa, disa prej të cilave i tejkaluan limitet e BE-së me më shumë se 3,000 herë.
Studiuesit zbuluan gjithashtu plumb dhe kadmium në këpucë, formaldehid në një kostum fëmijësh dhe nonilfenol etoksilate në një mushama. BEUC raportoi gjetje të ngjashme, ndërsa grupi danez i konsumatorëve Forbrugerradet enk gjeti PFAS të kufizuara në disa xhaketa.
Çfarë mund t’ju bëjnë këto kimikate?
Emrat e tyre janë kompleksë, por efektet e tyre të mundshme janë të drejtpërdrejta:
Ftalate (përfshirë DEHP dhe DBP): Kimikate që zbusin plastikën të lidhura me çrregullime hormonale, pjellorinë e reduktuar dhe problemet zhvillimore tek fëmijët.
PFAS (“kimikatet e përjetshme”): Komponime të vazhdueshme që grumbullohen në trup dhe janë shoqëruar me shtypjen e sistemit imunitar, dëmtimin e organeve dhe disa lloje kanceri.
Formaldehid: Përdoret për t’i bërë veshjet rezistente ndaj rrudhave; ekspozimi mund të shkaktojë acarim, reaksione alergjike dhe rritje të rrezikut të kancerit pas ekspozimit afatgjatë.
Nonilfenol Etoksilatet (NPE/APEO): Kimikate që prishin funksionin endokrin të lidhura me shqetësime riprodhuese dhe zhvillimore.
Aminat aromatike: Nënprodukte kimike nga disa ngjyra që përfshijnë kancerogjene të njohura dhe të dyshuara.
Dimetilformamidi (DMF) dhe VOC-të e lidhura me to: Tretës industrialë të lidhur me toksicitetin e mëlçisë, dëmtimin riprodhues dhe acarimin e frymëmarrjes.
“Ftalatet përdoren për t’i bërë plastikat dhe materialet sintetike më të buta, PFAS-të shtohen për t’i bërë pëlhurat të papërshkueshme nga uji, formaldehidi përdoret për të mbajtur rrobat pa rrudha dhe për t’i mbrojtur ato gjatë transportit, dhe kadmiumi mund të shtohet në bizhuteri të lira për t’i dhënë më shumë peshë. Substanca të tjera, të tilla si plumbi, shpesh nuk përdoren qëllimisht, por mund të shfaqen për shkak të kontrolleve të dobëta të prodhimit dhe kontaminimit”, shpjegoi Moos.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje