Ndonëse Shqipëria nuk është prekur nga koronavirusi, sipas dhe qëndrimeve të autoriteteve shtetërore, ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu kërkon që në vend të shpallet gjendja e emergjencës. Kjo, sipas tij, është e domosdoshme, duke u bazuar edhe në gjendjen epidemiologjike.
Sipas Shehut, në ecurinë e kësaj epidemie në Itali, virusi tashmë ka dalë nga “Zona e Kuqe”, duke u shtrirë në të gjithë territorin, me një mortalitet të lartë rreth 4,4%. “Duke u bazuar gjithashtu në rritjen shumë të shpejtë të rasteve të infektuara në Greqi, masave të emergjencës që sot pritet të shpallë dhe ai vend, me të cilin ne gjithashtu kemi shkëmbime të mëdha; duke u bazuar në rastet e diagnostikuara së fundmi dhe në vendet e tjera të rajonit; duke u bazuar në të dhënat e përgjithshme për karakteristikat e këtij virusi e rreziqet që paraqet ai; duke u bazuar në dobësitë e mëdha të sistemit tonë shëndetësor, gjë që manifestohet si në nivel diagnostikimi, parandalimi, ashtu e mjekues…”, gjendja e emergjencës duhet shpallur që sot mendon Shehu.
Ai shton se kjo periudhë e emergjencës duhet të shpallet deri më 16 mars, praktikë kjo e aplikuar edhe në shtetet e tjera. Në tërësi, sipas tij, masat duhet të jenë të nivelit të atyre të aplikuara në Itali, ku sot hyri në fuqi një regjim tjetër shumë më i fortë.
“Është e domosdoshme që dhe Presidenti i Republikës të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare me drejtim shëndetësor. Në këto situata duhet vepruar sa më shpejt, sepse të vazhdosh të luash rolin e “trimit” të papërgjegjshëm, mund të rrezikosh rëndë qytetarët. Kështu këto duhet të përfshijnë me transparencë vendime organizative, përmirësime urgjente të sistemit shëndetësor, dislokime adekuate fondesh, mobilizim të të gjitha resurseve njerëzore e materiale, mbyllje të shkollave, aktiviteteve sportive dhe të ngjashme”, thekson ish-deputeti i PD-së, Shehu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




