Nëse anëtarësia e Partisë Demokratike do t’i besojë drejtimin e partisë më 13 qershor, Agron Shehaj thotë se Sali Berisha do të jetë pjesë e grupit parlamentar të demokratëve në Kuvendin e ri.
Kandidati për kryetar i PD-së foli gjatë një interviste të dhënë për Opinion. Ai tha se vendimi i Departamentit të Shtetit që e ka shpallur “non grata” ish Kryeministrin është një vendim politik i SHBA që nuk dëshironte ta komentonte.
“Kam shprehur vlerësimin historik të PD që ka një kontribut të pamohueshëm për orientimin e Shqipërisë drejt Perëndimit. Nuk kam dashur të komentoj vendimin e DASH se ne nuk kemi as fakte është thjesht një deklaratë politike. Nuk kam thënë që nuk kam asnjë koment, por nuk kam dashur ta komentoj. Nuk e shikoj të arsyeshme të komentoj një vendim politik të SHBA. Unë mendoj që për ne është e rëndësishme të mendojmë për PD dhe për të fituar në zgjedhje”, tha Shehaj.
Zgjedhjet për kryetar të Partisë Demokratike mbahen ditën e diel. Në garë janë katër emra, ku Lulzim Basha rivalizohet nga Agron Shehaj, Edith Harxhi dhe Fatbardh Kadilli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.