Kosova

Shefi i EULEX-it: Nëse situata në veri përkeqësohet NATO mund të dërgojë trupa shtesë

Kreu në largim i Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit, i njohur si EULEX, Lars-Gunnar Wigemark ka reaguar në lidhje me situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe për lëndimin e disa ushtarëve të KFOR një javë më parë.

Wigemark ka deklaruar se do të vijë koha kur policia civile e EULEX-it, e cila nuk ka më kompetenca ekzekutive, por vetëm monitoron dhe udhëzon policinë e Kosovës, nuk do të jetë e nevojshme në Kosovë.

Në një intervistë për mediat e huaja për Associated Press, diplomati evropian nuk e ka përjashtuar mundësinë që NATO të vendosë “mijëra trupa ushtarake” në Kosovë.

“Nëse situata po bëhet gjithnjë e më e paqëndrueshme, nëse fillon të përshkallëzohet përsëri, sigurisht, ky është një opsion”, ka thënë ai.

Kujtojmë se pas tensioneve në komunat veriore, NATO ka dislokuar 700 trupa në Kosovë dhe ka deklaruar se edhe një batalion shtesë është në gjendje gatishmërie.

Wigemark, i cili ka shërbyer edhe në Bosnje-Hercegovinë, tha se është jetike që “këto lloj incidentesh të mos lejohen të shpërthejnë, të kalojnë në një lloj konflikti të armatosur”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë