Politike

SHBA përshëndet hapjen e negociatave: Forconi shtetin ligjor

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin vendimin e Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut.

“Presim të forcojmë partneritetin tonë strategjik me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, teksa dy vendet hedhin hapin e radhës në rrugën e tyre drejt Perëndimit”, thuhet në një deklaratë të Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Pompeo ndan bindjen se vendimi forcon të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, ndërsa vë theksin edhe tek rëndësia që merr marrëveshja e Prespës mes Shkupit dhe Athinës për çështjen e emrit.

“SHBA mbeten një partner i patundur teksa dy qeveritë e dy vendeve ndërmarrin reformat e nevojshme për forcimin e shtetit ligjor, shtojnë përpjekjet antikorrupsion, rrisin ekonominë dhe përmirësojnë luftën kundër krimit të organizuar”, vijon më tej deklarata e kryediplomatit amerikan.

Pompeo siguron Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut se SHBA do të vazhdojë të mbështesë pa rezerva përpjekjet e tyre në drejtim të reformave dhe forcimit të demokracisë e shtetit ligjor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë