Kosova

SHBA kundër asociacionit të komunave serbe në Kosovë siç e propozon Beogradi

I dërguari i posaçëm i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thirri një bashkëbisedim me gazetarët në Bruksel, ku u përqëndrua te situata e tensionuar në Kosovë.

Ai tha se Kosova ka të drejtë që të kërkojë reciprocitet me Serbinë, si për çështjen e targave qoftë edhe për çështje të tjera. ‘Për të gjitha këto, udhëheqësit e dy vendeve duhet të dialogojnë dhe ta bëjnë këtë sa më shpejt në Bruksel”, deklaroi ai.

Escobar tha se normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fillon me zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, mes të cilave edhe ajo për bashkësinë e komunave me shumicë serbe. Në formën e kërkuar nga Beogradi, ngritja e kësaj bashkësie bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

I dërguari i posaçëm i SHBA kërkoi që kjo të mos ndodhë.

"Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, apo të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti", u shpreh Escobar.

Qeveria e Albin Kurtit e ka kundërshtuar ngritjen e të ashtuquajturit asociacion i komunave serbe dhe kundërshtimi bazohet te një vendim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Sa u takon targave, Escobar bëri thirrje për qetësi e vetëpërmbajtje, ndërsa u shpreh se është e nevojshme një zgjidhje përfundimtare që mund të arrihet vetëm përmes bisedimeve.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç takohen më 18 shkurt në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE.

"S'ka luftë në Bosnjë"

I dërguari i SHBA-së foli edhe për situatën në rajon. Ai tha se në Bosnjë e Hercegovinë nuk do të ketë luftë, por paralajmëroi kundër retorikës nxitëse nga përfaqësuesit.

Ai tha se pret që ky shtet të mbajë zgjedhje të lira më vonë gjatë këtij viti.

Sa i përket Malit të Zi, tha se SHBA-ja përkrah çdo qeveri që përfaqëson vlerat e BE-së dhe është e përkushtuar për NATO.

Ndërkaq, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë u premtoi mbështetje në reforma që do të përshpejtonin rrugën e tyre drejt BE-së, pasi këto dy shtete hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim me bllokun evropian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë