Politike

SHBA i përgjigjet Kurtit: Spekullant! Asnjë plan sekret për ndarje të Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës hedhin poshtë akuzat e Albin Kurtit se po mbështesin idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri në detyrë i Kosovës akuzoi, Richard Grenell, të dërguarin e posaçëm të Uashingtonit për dialogun Prishtinë-Beograd se qëndronte pas nismës së shkarkimit të tij.

Si për të shuar të gjitha dyshimet që ekzistonin se ambasadori Richard Grenell nuk po përfaqësonte interesat e SHBA, Departamenti Amerikan i Shtetit shpërndau reagimin e përbashkët të Grenell, ambasadorit të SHBA në Kosovë, Philip Kosnet dhe të të dërguarit të posaçëm të SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer.

“Duam të bëjmë të qartë që nuk ka asnjë plan sekret për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekulluar disa. I dërguari i posaçëm i Presidentit, Richard Grenell as e ka parë dhe as e ka diskutuar një plan të tillë”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë përsëritet e përforcuar kërkesa për heqjen totale të tarifave të vendosura ndaj mallrave serbe.

“Vazhdojmë t’u kërkojmë udhëheqësve të Kosovës që të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat dëmtojnë popullin e Kosovës dhe minojnë bashkëpunimin rajonal, sidomos në këtë periudhë të luftës kundër CoVid-19”, thuhet në reagimin e SHBA.

Tre diplomatët amerikanë thonë se SHBA qëndron në krah të popullit të Kosovës dhe vlerësojnë përpjekjet e mjekëve dhe ekspertëve në betejën kundër koronavirusit. Politikanëve u përsëritet thirrja që të respektojnë Kushtetutën dhe sundimin e ligjit dhe hidhen poshtë akuzat se “SHBA ka preferenca mbi qeverinë”.

“Jemi të gatshëm që të punojmë me çdo qeveri që formohet përmes një procesi kushtetutes”, deklaron SHBA.

Reagimi i Departamentit Amerikan të Shtetit mbërrin pas akuzave që hodhi Albin Kurti gjatë fjalës së mbajtur në Parlament në seancën maratonë ku u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë së tij. Në këtë fjalim, Kurti tha se Qeveria e tij ishte pengesë për realizimin e planit të shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se Richard Grenell ishte në dijeni të këtij plani, ndërsa shtoi se po me porosi të të dërguarit special të SHBA për dialogun me Serbinë LDK u tërhoq dhe ndërmori mocionin e mosbesimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë