Politike

SHBA e mbështeti, por LSI i drejtohet SPAK: Ktheju punës, se do përfundosh i akuzuar

Jo shumë larg në kohë, por vetëm dy ditë më parë, Ambasada e SHBA-së në Tiranë mbështeti  punën e Policisë së Shtetit dhe SPAK-ut, duke e konsideruar të pavarur dhe profesionale.

Ajo njoftoi se puna e tyre duhet të vijonte pa  kërcënime dhe kanosje pavarësisht kush është i pandehur.

Mbështetja për SPAK u përforcua më pas edhe nga ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Por për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ka ende punë për tu bërë nga SPAK.

Përmes një reagimi në Facebook, Petrit Vasili, radhit pakënaqësi ndaj SPAK teksa rëndit në formë pyetjesh retorike punën e deritashme të qeverisë, veçanërisht në raport me ekonominë përfshi borxhin publik.

LSI paralajmëron hapur kur thotë se, “SPAK duhet t’i kthehet detyrës ndryshe shndërrohet në bashkëfajtor dhe do të ulet një ditë në bankën e të akuzuarve bashkë me ish-qeverinë rilindase”

“SPAK të dërgojë pas hekurave qeveritarët për krimin ekonomik kolosal të borxhit publik!!

Cfarë presin më? Që katastrofa ekonomike të shkatërrojë gjithçka.

A ka ndokush ndonjë dilemë se kjo qeveri mund të ndalë katastrofën?

A ka dyshim ndonjë se qeveria vetëm rëndon e thellon ajo vetë krizën?

A ka ndokush pikëpyetje se korrupsioni shkatërrimtar, koncesionet dhe pastrimi i parasë i kësaj qeverie na shtyn vetëm drejt greminës ekonomike?

A ka më ndonjë që e vë ne dyshim rritjen katastrofike të borxhit publik për shkak të menaxhimit kriminal të krizës nga qeveria?

A ka ndonjë njeri mundësi të mohojë batërdinë me tendera korruptive edhe në kohën e pandemisë?

A ka ndonjë që ka kurajë që të mohojë menaxhimin skandaloz të pandemisë që jo vetëm amplifikoi pandeminë mjekësore por shkaktoi edhe pandeminë aktuale ekonomike?

Borxhi i ka kaluar me kohë 90% dhe ai nuk deklarohet, fshihet dhe shpërdorohet në mënyrë kriminale nga qeveria dhe kryeministri i Rilindjes”, radhiti Vasili.

Përgjegjësia për këtë situatë, sipas tij, bie vetëm mbi qeverinë dhe Edi Ramën.

“Çfarë pret SPAK që nuk lëviz për këtë krim ekonomik të përmasave kolosale që përfaqëson borxhi publik dhe që mund të kolapsojë vendin brenda pak ditësh?

Hetimi dhe nxjerrja e përgjegjësive penale për borxhin publik sot është mision kombëtar.

SPAK nuk mund të fshihet më pas arrestimit të komisionerëve të vdekur, por duhet t’i kthehet detyrës ndryshe shndërrohet në bashkëfajtor dhe do të ulet një ditë në bankën e të akuzuarve bashkë me ish qeverinë rilindase”, shkruan Vasili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë