Nga Gazeta ‘Si’- Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se rifillimi i Dialogut Strategjik me Kosovën do të varet nga krijimi i kushteve të përshtatshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj komunitetit serb.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik me Kosovën është pezulluar që nga shtatori i vitit 2025.
“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, tha zëdhënësi për REL-in.
Sipas raportimit, Departamenti i Shtetit nuk dha ndonjë afat se kur mund të rifillojë dialogu dhe as nuk specifikoi se cilët hapa konkretë pret nga autoritetet e Kosovës.
Deklarata vjen në të njëjtën ditë kur Shtetet e Bashkuara hapën rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë, një mekanizëm që synon thellimin e bashkëpunimit në fusha si siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.
“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha Departamenti i Shtetit.
Dialogu Strategjik me Kosovën u pezullua më 12 shtator 2025, pasi Ambasada amerikane në Prishtinë shprehu shqetësim për veprimet e Qeverisë së atëhershme, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe kishin vështirësuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Vendimi pasoi veprimet e autoriteteve të Kosovës ndaj institucioneve serbe që funksiononin në vend, si dhe kritikat e qeverisë ndaj një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian prej vitesh kërkojnë nga Kosova zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe garantimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.
Nga ana tjetër, Kosova ka theksuar vazhdimisht se zbatimi i marrëveshjeve duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa ka kërkuar nga Serbia nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë dhe ekstradimin e Millan Radoiçiçit, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe ndaj të cilit autoritetet kosovare kanë ngritur aktakuzë për terrorizëm dhe vepra të tjera penale, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje