Sociale

SHBA arrin mbi 4 milionë të infektuar nga Covid-19

Shtetet e Bashkuara të Amerikës arritën sot një rekord prej më shumë se 4 milionë qytetarësh të infektuar me Covid-19, pasi vetëm në 24 orët e fundit janë shënuar mbi 68 mijë raste të reja.

Sikir të mos mjaftonte kjo, për të tretën ditë radhazi, SHBA raportoi më tepër se 1 mijë viktima ditore.

Gjendja më e rëndë paraqitet në Kaliforni, e cila tejkaloi dhe Nju Jorkun për nga numri i të infektuarve. Shpërthimi i ri i përhapjes së koronavirusit ka prishur jo pak, planet e presidentit, Donald Trump.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë njoftoi anulimin e konventës së partisë Republikane në Florida duke fajësuar pikërisht rikthimin e Covid-19, që erdhi pas rihapjes së ekonomisë. “Nuk është koha e duhur për ta mbajtur konventën”, u shpreh Trump duke shtuar se fjalimin për emërimin e tij si kandidat zyrtar i republikanëve për zgjedhjet presidenciale do ta mbajë në një formë tjetër.

Ndërkohë, pandemia po kushtëzon edhe veprimtari të tjera. Të gjithë amerikanët duhet të kenë opsionin për të votuar me postë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, si masë mbrojtëse kundër koronavirusit.

Këshilla është dhënë nga një grup doktorësh, infermierësh dhe zyrtarësh të shëndetit publik në një letër dërguar Kongresit. Sipas tyre kjo do të shmangte mbipopullimin në qendrat e votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë