Katar 2022

Shaqiri dhe Xhaka nxjerrin jashtë Serbinë, Brazili B stonon me Kamerunin

Gazeta Si – Festojnë sërish Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka ndaj Serbisë. Zvicra mundi 3-2 skuadrën ballkanase dhe siguroi ‘biletën’ e fundit kualifikuese për në fazën e 1/8-ve të Katar 2022. Brazili është mundur 1-0 nga Kameruni, por ka ruajtur vendin e parë.

Vetëm pas 20 minutash lojë Xherdan Shaqiri do të linte shenjën e tij në ndeshjen me Serbinë. Futbollisti shqiptar shënoi golin e parë për Zvicrën me një të majtë potente në zonë, por këtë herë nuk festoi me simbolin e shqiponjës si katër vjet më parë.

Serbia reagoi mirë dhe barazoi shpejt me Mitroviç, me një devijim të saktë me kokë. Vlahoviç më pas i dha avantazhin skuadrës së Stojkoviç, por në dhomat e zhveshjes Zvicra dhe Serbia do të shkonin me rezultatin e barabartë, 2-2, pasi Embolo gjeti rrugën e rrjetës.

Në pjesën e dytë Freuler kaloi sërish Zvicrën në avantazh, pas disa kombinimesh model të skuadrës së Murat Jakin. Serbia, edhe pas ndërrimeve të trajnerit Stojkoviç, nuk mundi të futej në lojë dhe në fund u dorëzua. Me një mbrojtje katastrofike, serbët e mbyllën grupin me 1 pikë dhe 8 gola të pësuar.

Brazili jo vetëm nuk mundi ta mbyllë grupin me pikë të plota, por pësoi humbjen e parë nga Kameruni. Trajneri Tite ndryshoi gjithë skuadrën, nga porta në sulm, duke hedhur në fushë lojtarët e stolit. Seleçao nuk mundi të shënonte dhe u godit në shtesë nga goli i Abubakar. Brazili tani do të përballet me Korenë e Jugut, kurse Zvicra me Portugalinë.

Me Zvicrën kompletohet 16-shja e skuadrave të kualifikuara për në 1/8-at. Përveç Xhakës e Shaqirit me shokë, në këtë fazë kanë kaluar Franca, Holanda, Senegali, Anglia, SHBA-të, Argjentina, Polonia, Maroku, Spanja, Japonia, Australia, Kroacia, Portugalia, Koreja e Jugut dhe Brazili.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë