Kombetarja

Shanse minimale për Ismajlin, mungesat në mbrojtje stresojnë Slivinjon

Gazeta Si – Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, foli me shumë entuziazëm në konferencën për shtyp të së shtunës sa i takon debutimit në stolin kuqezi më 27 mars. Ai e di që në Varshavë do të jetë një sfidë shumë e vështirë, por malorja për brazilianin është bërë më e fortë nga mungesat dhe sidomos ato në mbrojtje.

Adrian Ismajli e ka bërë edhe më të vështirë punën në prapavijë për trajnerin e Kombëtares. Mbrojtësi i Empolit la fushën i dëmtuar në ndeshjen e fundit dhe ka shanse minimale të rikuperohet në kohë për Poloninë. Përveç tij, Silvinjo nuk ka të gatshëm edhe titullarin tjetër të mbrojtjes, Berat Gjimshitin, i dëmtuar kohët e fundit.

Silvinjo, trajneri i Kombetares, ne konference shtypi. Gazeta Si, 19 mars 2023

Një tjetër mungesë është edhe ajo e Ardian Bajramit. Në listë mbeten vetëm dy qendërmbrojtës, Marash Kumbulla, i cili nuk po kalon një moment të mirë, dhe Jon Mersinaj, që nuk ka përvojë për ndeshje si kjo me Poloninë. Mbetet për t’u parë, nëse Silvinjo do të ftojë ndonjë mbrojtës tjetër, nëse konfirmohet mungesa e Ismajlit, apo do ta modifikojë qendrën ndoshta me Klaus Gjasulën.

Mungesat e tjera të rëndësishme të kuqezinjve për ndeshjen e 27 marsit në Varshavë janë ato të Armando Brojës në sulm dhe Keidi Bares në mesfushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë