Sociale

Shahini: S’ka ende vendim për shtyrjen e shkollës përtej 23 marsit

Pas situatës së krijuar nga koronavirusi, Ministria e Arsimit, pasi e shtyu mësimin deri më datë 23 mars, nuk ka marrë ende vendim nëse mësimi do të rinisë në këtë datë apo do të ketë shtyrje tjetër.

Në një videomesazh, ministrja Besa Shahini u shpreh se nëse procesi mësimor do të shtyhet sërish mësimi virtual do të vazhdojë, madje do të bëhen edhe vlerësime për nxënësit nëpërmjet rrjeteve sociale.

“Nëse jemi të detyruar ta shtyjmë mësimin përtej datës 23 mars, një vendim që ende nuk është marrë, por nëse merret ne do jemi të gatshëm që mësuesit t’i orientojmë drejt një vlerësimi që mund të bëhet përmes rrjeteve sociale. Por, kjo është diçka që do t’ju informojmë më shumë ditët në vijim kur të marrim vesh nëse do ta kemi të nevojshme ta shtyjmë procesin e mësimit nga shtëpia”, tha ministrja Shahini.  

Në fund të video-mesazhit, Ministrja Shahini përcjell edhe një kërkesë për të gjithë mësuesit dhe prindërit që po punojnë tashmë përmes rrjeteve sociale:

“Duam që të na sillni modelet e punës suaj në mënyrë që të krijojmë një udhëzues për të gjithë mësuesit me format më të mira dhe më praktike të punës mes mësuesve dhe nxënësve”, shprehet ajo dhe shton:

“Disa mësues tashmë kanë komunikuar me neve dhe na kanë sjellë modelet që ata kanë përdorur. Kanë qenë shumë të vlefshme, i kemi ndarë me mësuesit e tjerë, por menduam dhe besojmë që do të ketë më shumë modele se sa këto që na kanë sjellë deri tani. Kështu që, ju bëjmë thirrje të na sillni sa më shumë nga modelet tuaja të punës që në rast se kemi nevojë ta zgjasim procesin e mësimit nga shtëpia të kemi sa më shumë shembuj praktikë për mësuesit dhe për nxënësit që të vijojë mësimi sa më normalisht që është e mundur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë