Sociale

Shahini: Shkolla do mbyllet në fund të vitit akademik. Online mësimi funksionoi

Nëpërmjet një video-mesazhi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, ka deklaruar se viti shkollor do të mbyllet në fund të vitit akademik, ndërsa në vizoi se "shpreson të mos shtyjmë edhe datat e provimeve". Ndër të tjera, Ministrja ka thënë se lajmet e tjera që qarkullojnë janë të rreme dhe nuk duhen besuar.
Ministrja u ktheu përgjigje edhe pyetjeve të ndryshme të qytetarëve. Ajo tha në video mesazh se do të xhirohen leksionet edhe nëse shkollat do të qëndrojnë të mbyllura përtej datës 6 prill.
“Pra nga mesi i javës që vjen, ne do të shohim situatën, do të marrim parasysh risqet dhe do të marrim një vendim për hapjen ose jo të shkollave me datën 6 prill,” u shpreh Ministrja.
Shahini ka theksuar se për mësimin online janë marrë shembujt e vendeve të ndryshme, si SHBA, Britania e Madhe e të tjera.

https://www.facebook.com/shahinibesa/videos/551911912119367/

“UNESCO, Banka Botërore, UNICEF-i kanë ndihmuar në përkthimin e masave apo politikave të ndryshme që kanë ndërmarrë vendet e ndryshme. Kështu që, jemi shumë mirë të përditësuar me gjithçka që po ndodh në botë në lidhje me mësimin online në kushte shtëpie apo edhe vlerësimin e nxënësve. Ne pamë edhe modelet e vendeve të tjera. Nuk kemi hasur në ndonjë model që ka anuluar vitin shkollor. Pra ngaqë i gjithë globi është pak a shumë në të njëjtën situatë, të gjitha vendet po zbatojnë të njëjtat politika që po synojnë të mbyllin këtë vit akademik përkundër ndoshta që nuk është e mundur që të mbyllet plotësisht e gjithë kurrikula, plan-programi për këtë vit, edhe ne do të vijojmë në këtë formë,” shtoi Shahini.
Ndërsa për sa i përket sondazhit që është zhvilluar fundjavën e kaluar me mësuesit, prindërit dhe nxënësit për mënyrën se si ata po organizojnë mësimin nga shtëpia dhe a është efektive kjo metodë Ministrja tha se shumica e tyre (320 mijë) kanë qenë pozitive. Shahini theksoi se 80 për qind e nxënësve dhe 85 për qind e mësuesve kanë bërë përforcime të mësimeve që nxënësit kanë bërë nëpër shkolla por edhe kanë mësuar edhe koncepte të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë