Futboll

Sfidë totale për Haland, Reali dhe Barcelona hidhen në sulm për norvegjezin

Është Spanja destinacioni i tij i ardhshëm, kjo është e sigurt. E ka thënë vetë sulmuesi norvegjez, Erling Haland, gjatë pushimeve në Marbela. Problemi është se Spanja e tij është e ndarë në dy pjesë, njëra e Realit dhe tjetra e Barcelonës.

Do të fitojë oferta më e mirë dhe këtu sigurisht ai që fton më shumë është vetë lojtari 21-vjeçar, i cili po regjistron numra të frikshëm me Borusian e Dortmundit, 76 gola dhe 20 asiste në 75 ndeshje. Sulmuesi më i mirë në qarkullim, sulmuesi i së ardhmes, njeriu i duhur për Realin dhe Barcelonën.

Erling Haland, sulmuesi norvegjez i Borusias. Gazeta Si, 4 janar 2022

Haland kushton shumë, sepse ka një kontratë deri në vitin 2024-ën me Borusian, që nuk ka në plan të bëjë dhurata. Shifra e saktë është e vështirë të thuhet, por ajo rrotullohet te 150 milionë euro. Pastaj është edhe rroga e lojtarit. Në Gjermani janë gati t’i ofrojnë 16 milionë euro në sezon, kështu që pak a shumë ky do të jetë çmimi i pikënisjes.

Reali dhe Barcelona, sipas “Marca”-s, kanë nisur punën për këtë transferim. Laporta ka thënë se gjithçka është e mundur, kur është pyetur për Haland, edhe Reali e ka shfaqur hapur shpesh interesin për norvegjezin. Dy gjigantët spanjollë, kur kanë dashur një lojtar, nuk janë kursyer aspak. Dhe në rastin konkret ka edhe një klauzolë nga 75 deri në 90 milionë euro, që bëhet aktive prej sezonit të ardhshëm.

Një klauzolë që është hedhur poshtë në fakt nga drejtori i përgjithshëm i klubit gjerman, Hans-Joakim Vatze. “Nuk mund të konfirmoj një klauzolë për prishjen e kontratës së Haland”, - ka thënë ai. Le të themi se ka një pakt mes palëve, ndërsa në Spanjë ka nisur gara për të marrë sulmuesin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë