Futboll

Sfidë shqiptarësh në Kupën e Italisë, një trofe me ngjyra kuqezi

Sido që të shkojë, pas finales së Kupës së Italisë do të ketë festë kuqezi në stadiumin “Olimpico” të Romës, ku Atalanta dhe Lacio do të diskutojnë trofeun. Janë dy skuadra me futbollistë shqiptarë në përbërje. Lacio ka portierin e Kombëtares, Tomas Strakosha, drejtorin sportiv Igli Tare, por edhe Valon Berishën që luan për Kosovën dhe Riza Durmishin që luan për Danimarkën. Në krahun tjetër, tek Atalanta luajnë portieri tjetër i Kombëtares, Etrit Berisha, dhe mbrojtësi Berat Gjimshiti.


Shtypi italian bën me dije se portieri Strakosha e ka lënë pas dëmtimin dhe sot në mbrëmje do të jetë në fushë nga minuta e parë. Titullar është parashikuar edhe mbrojtësi Gjimshiti tek Atalanta, ndërsa Berisha e nis nga stoli. Lacio ka favorin që luan në stadiumin e vet, ndërsa Atalanta ka favorin se gëzon një formë shumë të mirë sportive në këto javë të fundit. Për ekipin e Tares dhe Strakoshës, fitimi i trofeut është i domosdoshëm për të shkuar në Europë, sepse nga kampionati e ka të pamundur. Atalanta mban vendin e katërt në kampionat dhe është një hap larg Championsit, por kjo nuk do të thotë se do të tolerojë në finale.

Formacionet e mundshme të Atalantës dhe Lacios për finalen e sotme

Tomas Strakosha është një nga kolonat kryesore të formacionit të Lacios. Ai mungoi në ndeshjen e kampionatit, për shkak të një dëmtimi dhe stafi teknik nuk donte të rrezikonte me portierin para finales së Kupës së Italisë. Portieri kuqezi e ka fituar Kupën e Italisë me të rinjtë e Lacios, por edhe me ekipin e të rriturve pak sezone më parë dhe ky është një ogur i mirë. Përballë do të ketë sot shokun e ekipit në Kombëtare, Berat Gjimshitin. Mbrojtësi shtatlartë ka fituar besimin e trajnerit Gasperini dhe javë pas jave e ka rritur nivelin e tij, duke u bërë një titullar i rëndësishëm.

Parashikohet një ndeshje e bukur, duke ditur stilin e lojës së dy skuadrave, që janë të prirura drejt sulmit. Sportdashësit shqiptarë sot në mbrëmje do të jenë ndoshta neutralë, sepse në fund do të shohin futbollistë të Kombëtares me trofeun e Kupës së Italisë në duar. Është rasti për të thënë thjesht: fitoftë më i miri!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë