Kombetarja

Sfidat me Moldavinë dhe Ishujt Faroe, Silvinjo: Kemi dy finale, mund të shkojmë në Europian

Gazeta Si - Trajneri Silvinjo ka komentuar listën e grumbullimit të lojtarëve në 2 ndeshjet që do të luhen me Moldavinë dhe me Ishujt Faroe.

Në konferencën e tij për shtyp, tekniku Brazilian tha se risi në këtë grumbullim të ekipit do të jetë Muçolli.

Silvinjo i konsideroi të dyja sfidat e kombëtares si finale për të arritur kualifikimin në Euro 2024.

“Kemi 2 finale shumë të rëndësishme. Në të gjithë këtë fushatë kualifikuese, ne kemi grumbulluar në total 40 lojtarë, po t’i marrim nga ndeshja e parë e deri më tani, ndërkohë që për këto 2 ndeshje të fundit, ne kemi thirrur 24 lojtarë dhe nga këto është Muçolli që vjen për herë të parë nën drejtimin tim”.

Trajneri kuqezi shpjegoi edhe mungesat dhe zgjedhjet e kombëtares. “Mihaj është i dëmtuar dhe për këtë raste nuk mund të ishte i gatshëm. Në pjesën e mbrojtjes kemi lojtarë për të plotësuar mungesën e tij. Në sulm kemi 2 lojtarë, siç janë Cikalleshi dhe Daku. Kemi edhe 2 lojtarë të tjerë që mund të luajnë shumë mirë, Uzuni dhe Seferi. Çuni është një lojtar shumë i mirë, ka një rol me Cikalleshin dhe me Dakun. Në këtë rast, kemi nevojë për një sulmues anësor sepse në sulm jemi të mbipopulluar në njëfarë mënyre dhe për këtë arsye, kemi thirrur Muçollin”.

Silvinjo theksoi se “kemi 2 ndeshje vendimtare që mund të vendosin të ardhmen tonë, mund të shkojmë në Evropian. Kemi marrë Muçollin, është lojtar shumë teknik dhe është i duhuri për ne në këto 2 sfida. Ishte i nevojshëm për këto 2 ndeshje. Po përgatitemi të luajmë ndaj një kundërshtari që nuk ka pësuar asnjë humbje deri tani në Shqipëri siç është Moldavia”, shprehet trajneri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë