Kombetarja

Sfida me Izraelin, thirren me urgjencë Lilaj e Balliu

Dy ditë para ndeshjes me Izraelin trajneri kuqezi Panuçi ka ndryshuar organikën e lojtarëve në ekipin kombëtar. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediet, FShF bën me dije se dy lojtarët, Frederik Veseli dhe Ylber Ramadani janë larguar nga grumbullimi i ekipit kombëtar për të vijuar me fazën riaftësuese. Mesfushori dhe mbrojtësi janë larguar për shkak të problemeve fizike dhe konkretisht tërheqjeve muskulore të pësuara gjatë ndeshjes miqësore ndaj Jordanisë.

Nëse për Ramadanin dëmtimi i marrë në krahë gjatë ndeshjes me Jordaninë ka rezultuar serioz dhe tashmë ai do duhet të pushojë për t’u riaftësuar, për dëmtimin e Veselit nuk ka shumë të dhëna. Këto dy dëmtime, janë një dhimbje koke e shtuar për Panuçin që do duhet të mendoj sërish për lojtarët që do të hedhë në fushë nga minuta e parë të dielën me Izraelin. Ramadani kishte shanset për ta nisur nga fillimi, ndërsa zëvendësimi i tij me Lilajn duket se e qetëson disi italianin. Por problem do të jetë zëvendësimi i Veselit, pasi në pozicionin e tij, Panuçi ka pak lojtarë në dispozicion që të jenë edhe në formë të mirë fizike. Panuçi për ndeshjen me Izraelin nuk do të ketë të gatshëm edhe mbrojtësin Enea Mihaj, që gjithashtu pësoi një dëmtim të rëndë në miqësoren me Jordaninë.

Trajneri i skuadrës përfaqësuese Christian Panuçi, ndërkohë ka kryer menjëherë zëvendësimet për këtë dy largime. Kështu brenda ditës së premte skuadrës do ti bashkohen mbrojtësi Ivan Balliu dhe mesfushori Sabien Lilaj. Për të zëvendësuar Mihaj nuk është thirrur asnjë futbollist tjetër. Dy lojtarët e thirrur nga Panuçi Lilaj dhe Balliu, nuk ishin preferuar në fillim, por tashmë do të jenë një alternativë e shtuar për ndeshjen e rëndësishme në Izrael. Shqipëria sipas programit, ditën premte ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, teksa për të gjitha seancat është vendosur që të zhvillohen me dyer të mbyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë