Futboll

Sfida interesante në Shkodër e Durrës, derbi eklipson Superioren

Java e 6-të e Superiores luan sot katër nga pesë ndeshjet e saj, por duhet pranuar se kjo javë është e eklipsuar nda derbi i kryeqytetit Tirana-Partizani, që zhvillohet ditën e diel. E gjithë vëmendja është aty për shumë arsye: atmosferë, rivalitet sportiv në fushë, rivalitet tifozësh në shkallët e stadiumit, trajnerët që rrezikojnë etj. Për të mos e prishur këtë atmosferë FSHF-ja pranoi spostimin e derbit në orën 19:00, pra zhvillimin e kësaj ndeshjeje me drita.

Gjithsesi, edhe ndeshjet e tjera janë të rëndësishme, duke nisur nga ajo që luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, ku Vllaznia pret Skënderbeun. Shkodranët kanë 6 pikë, por javët e fundit nuk kanë bindur. Kanë shënuar vetëm një gol dhe kanë humbur terren në renditje, që do të thotë se sot do të kërkojnë kthesën me të gjitha mundësitë. Trajneri Mirsad Jonuz ka disa rikthime, ndërkohë që korçarët kërkojnë vazhdimësi pas fitores me Teutën. Skënderbeu i Ilir Dajës mban vendin e tretë dhe pavarësisht lojtarëve të rinj që ka këtë sezon në përbërje, mbetet një ekip kompetitiv. Në Shkodër ndoshta do t’i bënte punë edhe barazimi.

Nga një ndeshje mes Kukësit dhe Teutës sezonin e kaluar. Gazeta Si, 28 shtator 2019

Një ndeshje interesante është ajo që luhet në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, ku Teuta pret Kukësin e Duros. Një ndeshje me “spec”, pasi durrsakët vijnë pas humbjes në Korçë, kurse Kukësi ka shansin të përfitojë nga derbi i kryeqytetit për t’u shkëputur në krye të renditjes. Teuta nuk ka bindur deri më tani si skuadër pretendente dhe sot ka një provë vërtet të rëndësishme përballë një kundërshtari me një sulm të frikshëm.

Bylisi, që po surprizon në këto javë të para të Superiores, luan në fushën e tij ndaj Flamurtarit në krizë të thellë. Ballshiotët kanë një tjetër shans për të konsoliduar pozitat në katet e sipërme të Superiores. Në Gjirokastër, Luftëtari vendës do të ndeshet me Laçin e trajnerit Starova. Të gjitha ndeshjet luhen në orën 16:00, përveç derbit që zhvillohet të dielën, në orën 19:00.

Renditja e Superiores para javës së 6-të. Gazeta Si, 28 shtator 2019

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë