Futboll

Sfida e shtyrë, Kukësi dhe Dinamo përplasen sot mes polemikave në Elbasan

Kukësi-Dinamo, e vlefshme për javën e 16-të të Abissnet Superiores, duhej të ishte zhvilluar të shtunën, por u shty për sot. Fillimisht u tha se Kukësi ishte prekur masivisht nga Covid-i, më pas u bë njoftimi se më datë 19 janar do të bëhej inaugurimi i stadiumit në Kukës dhe në fund u vendos që ndeshja të luhet sot në “Elbasana Arena".

Këto manovra në kampin dinamovit nuk janë pëlqyer, sepse për kryeqytetasit ngjishet kalendari në vazhdim. Megjithatë, për këtë pjesë nuk ka pasur shumë kundërshtime. Polemikat më të mëdha kanë qenë ato mes dy trajnerëve.

Trajneri i Kukesit, Diego Longo. Gazeta Si, 19 janar 2022

Diego Longo, trajneri i Kukësit, ironizoi me jë postim në rrjetet sociale stafin e Dinamos për spiunim të stërvitjes së tij, duke publikuar një foto, ku në fakt ishin pjesëtarët e stafit të Dinamos, por edhe të Partizanit, që pinin një kafe në kompleksin kë të gjitha këto skuadra stërviten. Italianit i është përgjigjur Bledi Shkëmbi, trajneri i Dinamos, duke thënë se ‘Longo duket se ka parë shumë filma me partizanë dhe spiunë’.

Trajneri i Dinamos, Bledi Shkembi. Gazeta Si, 19 janar 2022

Nisur nga kjo situatë, 90-minutëshi i sotëm në “Elbasan Arena” pritet të jetë i ndezur. Kukësi synon të shkurtojë diferencën me Tiranën ktyesuese, aktualisht 6 pikë, ndërsa Dinamo shpreson për rilindjen, pas ndryshimeve që ka bërë në staf dhe në grupin e lojtarëve gjatë mnerkatos së dimrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë